Ditën e sotme është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare shkrimtari i madh, Ismail Kadare.
Lidhur me këtë, në një lidhje Skype me studion e lajmeve në MCN TV ka folur skenaristi Ylljet Aliçka, i cili u shpreh se ai do mbahet mend për veprat e tij dhe faktin që ka saktësuar se identiteti shqiptar është gjuha shqipe.
Sipas tij, Kadare është një shkrimtar modern dhe i parakohshëm .

Do veçoja shumë libra, se për Kadarenë është thënë shumë dhe është privilegj që të gjithë kënaqësinë e famës e pati në gjallje. Në lidhje me veprat, secili ka shijen e tij, një pjesë e madhe e veprave të tij janë pëlqyer dhe doja të veçoja 'Vitin e mbrapshtë', 'Gjeneralin', 'Kronikë në gurë', 'Koncert në fund të dimrit'.
Është i njohur fakti se Kadare, që shpesh edhe është bërë burim kritike, ka qenë shumë i fiksuar te çështjet e krenarisë dhe identitetit shqiptar. Janë të njohura paradigmat e tij që identiteti shqiptar nuk është përcaktuar nga faktorë, që në vende të tjera ka qenë p.sh. feja.
Ai e ka saktësuar se identiteti shqiptar është gjuha shqipe. Është e rrallë që Kadare ka të veçantën që arriti të merrte dhe statusin e emancipuesit shoqëror dhe ky është një pretendim i madh, Kadare e emancipoi Sqipërinë.
I pyetur se sa na shërben kjo letërsi, Aliçka tha se kryesorja si shkrimtar dhe e dyta që një vend si yni identifikohet me emrin e tij.
Në dy aspekte do thosha kryesorja shkrimtar, për mua Kadare është shkrimtar modern dhe i parakohshëm, bashkëkohor, në pikëpamje kontributi është e tepërt ta përsëris se Shqipëria mbetet te ato vende që njihet si vendi i Nënë Terezës dhe Kadaresë. Është luks i madh që një vend i vogël të nxjerrë një identitet kaq të madh.
Librat e Ismailit janë libra modernë dhe do mbeten si letërsi moderne, pra klasikë nga përvoja, jeta e gjatë, por mund të thuash se është përfaqësuesi që do mbetet gjithmonë i letrave shqipe. Do duhet kohë e gjatë që Shqipëria të prekë nivele të tilla të cilësisë dhe nivele botërore. Historia e Shqipërisë do i mbesë gjithmonë borxh Kadaresë. Është një nga personalitetet që e ka kontributin më efikas në nivelet më të larta botërore në çështje kombëtare.



