
Mjafton të përmbysësh ritmin e jetës vetëm për disa ditë dhe dëmet shëndetësore janë të dukshme. Kështu, sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Colorados Boulder, i publikuar në revistën PNAS, nëse qëndrojmë zgjuar dhe ushqehemi gjatë natës dhe flemë gjatë ditës, kjo shkakton çorientimin e 100 proteinave në gjak, përfshirë edhe ato që janë përgjegjëse për nivelin e sheqerit, metabolizmin dhe funksionet e sistemit imunitar.
Kjo do të thotë se kur ne përjetojmë eksperienca si ndryshimi i orareve pas fluturimeve të gjata ose turnet e natës në punë, ne shumë shpejt ndryshojmë fiziologjinë tonë normale në një mënyrë që, nëse vijon, mund të jetë e dëmshme për shëndetin tonë.
Ky studim është i pari që ekzaminon se si nivelet e proteinave në gjak, të njohura si plazma proteome, ndryshojnë në një periudhë 24-orëshe dhe si ndikohen nga oraret e gjumit dhe ushqyerjes.
Rezultatet e studimit mund të krijojnë mundësi për të zhvilluar trajtime të reja për punëtorët e turnit të natës, të cilët përbëjnë 20 % të forcës punëtore globale dhe janë të predispozuar për diabet dhe kancer.



