Ish-zv.ministri i Integrimit, Majlind Lazimi, thotë se hapja e negociatave do të ketë më shumë impakt simbolik sesa konkret. Në një intervistë për TvT, Lazimi solli rastin e Kroacisë dhe rrugëtimit të saj drejt anëtarësimit në BE në 2013-n.
“Më shumë do të ketë impakt simbolik. Do të jetë një zhvillim pozitiv. Kroacia që ishte model në shumë aspekte, iu deshën gati 10 vjet. Procesi do të ngadalësohet, do të jetë e vështirë. Nuk shoh rezultate të prekshme, ndoshta të paktën në dy vitet e ardhshme”, tha ai.
Lazimi u shpreh se dialogu politik dhe reforma zgjedhore janë kushte të rëndësishme, të cilat nuk janë ende në rrugën e duhur.
“Më e rëndësishme është klima politike në Shqipëri. Hapja e negociatave de fakto është proces pozitiv. Por është edhe rast i mirë për ekonominë, edhe për shkak të pandemisë dhe tërmetit. Janë vënë kushte, por klima politike nuk është e mirë. E gjithë reforma zgjedhore është thelbësore. Shikoj që kemi bërë hapa pas, sidomos me ato që pamë dje. Pati reagime nga partnerët, për të thënë që nuk jemi në rrugën e duhur. Dialogu politik është një nga tre kushtet e rëndësishme. Për aq kohë sa kemi ndasi mes palëve për zgjedhjet, klasa politike ka dëshmuar se akoma nuk është e pjekur për të hedhur hapa të rëndësishëm drejt hapjes së negociatave. Besoj që Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër dhe nuk duhet të gëzohemi nga fakti që thjesht hapen negociatat”, tha ai.



