
Karakali është një lloj maceje e egër me madhësi mesatare, që i përket familjes Felidae. Kjo mace njihet për pamjen e saj karakteristike, veçanërisht për veshët e gjatë dhe të mprehtë, që janë një nga tiparet më dalluese të saj.
Së fundmi, po bëhet gjithnjë e më shumë trend të mbahet në shtëpi një kafshë e tillë e egër.

Megjithatë, specialisti i sjelljeve të qenve (psikolog për kafshët) dhe veterineri Kalem Ymerli, në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ka theksuar se mbajtja e këtyre kafshëve në ambiente shtëpiake nuk rekomandohet.
Sipas tij, jo vetëm që karakali paraqet rrezikshmëri për njerëzit, por mbajtja e tij është e ndaluar edhe nga ligji shqiptar pa një certifikatë të posaçme.
Në Shqipëri po rritet trendi i mbajtjes së kafshëve të egra, veçanërisht të llojeve të felinëve si karakali dhe servali.
Në legjislacionin shqiptar duhet të pajisesh me certifikatë të posaçme për të pasur kafshë të tilla.
Nuk e rekomandoj mbajtjen e tyre. Kërkohet trajnim i posaçëm, eksperiencë profesionale dhe njohuri të thelluara për sjelljen e këtyre kafshëve. Duhet të jesh i certifikuar për kafshë të tilla.
Shoqëria shqiptare ka sfida të mëdha edhe në edukimin e qenve dhe fëmijëve, e jo më të felinëve të egër, që kërkojnë kujdes shumë më specifik.
Në total, në botë ekzistojnë 42 lloje felinësh, ndërsa karakali është vendas në Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Jeton deri në 17 vjet, mund të peshojë deri në 20 kg dhe është një grabitqar që gjuan kryesisht natën. Emri “karakal” në fakt do të thotë “vesh i zi”, dhe përshkruan një nga tiparet e tij më të dukshme.
Sipas Ymerlit, karakali është një kafshë që ndjek instinktet e saj natyrore, veçanërisht nëse nuk është i lindur në mjedise të kontrolluara si kopshte zoologjike apo familje që kanë breza me përvojë në mbajtjen e këtyre kafshëve, prandaj është sfidues për ta mbajtur.
Karakali është shumë i vështirë për bashkëjetesë me fëmijët. Ndërsa servali, në krahasim, është disi më i përshtatshëm.
Dëshira për t’u dukur apo për të pasur kafshë "ekzotike" lidhet edhe me një kompleks social në shoqërinë tonë që ndikon në përzgjedhjen e qenve apo maceve të rralla.
Nëse karakali është i lindur në natyrë, ai do të ndjekë instinktin e tij të egër. Por nëse është lindur në një mjedis të kontrolluar, ka më shumë gjasa të jetë i zbutur.
Megjithatë, edhe në ato raste, gërvishtjet, dëmtimi i mobilieve apo i objekteve të shtëpisë janë të zakonshme, pasi bëhet fjalë për një kafshë me putra të fuqishme dhe instinkt grabitqari dhe mishngrënësi.



