
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke folur në emisionin “Skaner” në MCN TV, u nda edhe të investimi i presidentit të Partizanit, Gazment Demi, në ndërtimin e stadiumit.
Duka u shpreh se ky është investimi më i madh privat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri për sportin.
Gjithsesi numri 1 i FSHF tha se ky shembull nuk mund të ndiqet nga klubet e tjera, sepse do i rrënonte ato, referuar investimeve të mëdha që duhen.
Te Partizani është një investim madhor privat. Investimi më i madh privat që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri në sport. Në kushtet që ka Shqipëria, nuk është ai modeli. Ai impiant ka një kosto të jashtëzakonshme. Është mbështetur vetëm nga FSHF në disa pjesë të tij. Është një investim totalisht privat, i presidentit të Partizanit, Gazment Demi. Unë mendoj që është e vështirë që një president klubi, të ketë mundësi për të ndërtuar komplekse aq të mëdha. Një investim i tillë do i rrënonte klubet e tjera. Nuk e di si Demi dhe Partizani e kanë përballur. Në të gjithë botën, infrastruktura financohet nga fondet e shtetit. Ky është një aktivitet publik, që në një mënyrë ia kthen këto investime. Ka një ndikim ekonomik. Ka kursime në mjekësi. Shteti duhet ta ketë flamurin e investimeve. Ne e kemi mbështetur projektin e Partizanit. Nuk ka klubi i Partizanit të ardhura sa për të ndërtuar një kompleks të tillë. Janë financat e presidentit të marra nga bizneset e tij. Nuk janë të këshillueshme, sepse mund të krijojnë gropa të zeza në biznese. E kemi mbështetur dhe e falënderojmë shumë, sepse është një perlë për kryeqytetin.
Duke folur për projektin “100 fushat”, Duka deklaroi se në Tiranë është e vështirë të gjesh hapësira për të ndërtuar fusha të reja, sepse nuk ka hapësira.
Për projektin “100 fushat”, kemi marrë përgjigje pozitive nga disa bashki në Shqipëri, po ashtu edhe me disa akademi dhe klube. Problemi dhe vështirësia është hapësira ku do ndërtohen fushat. Ky problem është në Tiranë, Kjo nuk është për të bërë kritikë për Bashkinë Tiranë, por realisht është e vështirë të gjesh hapësira brenda Tiranës, sepse është një metropol, ku ka shumë popullsi dhe shumë pallate. Tirana meriton më shumë fusha, ku vajza dhe djem të luajnë futboll. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë.



