
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëron sërish në mënyrë indirekte kreun e Vetëvendosjes. Thaçi është shprehur se e ka gati nominimin e Kurtit si kryeministër dhe në rast të vonesës së arritjes së një marrëveshjeje qeverisëse, do të deklarojë refuzimin.
“Kaloi një kohë e gjatë, njerëzit janë duke pritur, si qytetarët, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë. Unë si president i vendit duke e parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë, unë duke menduar që do ta pranojë mandatarin, e kam nënshkruar nomonimin e Kurtit si kandidat për kryeministër. Ai nënshkrim është në tavolinën time dhe shpresoj që kjo nuk do të marrë kohë. Në rrethana të tjera, duhet ta deklaroj refuzimin”, ka thënë.
Thaçi i bëri këto komente në një pritje të rezervuar në presidencë për William Wolker, ish-ambasadorin që 21 vjet më parë u bë dëshmitari i masakrës së Reçakut.
Vetëvendosje, si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, nuk ka arritur ende një marrëveshje qeverisëse me LDK-në, e cila doli e dyta me numër votash. Shkak është bërë mospajtimi për postet e larta.



