
Bashkimi Evropian mbështet një zgjidhje, e cila nuk bazohet në idenë e krijimit të shteteve etnikisht të pastra.
Ky është qëndrimi i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila është ndërmjetësuese në procesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Sipas Mogherinit, marrëveshja e detyrueshme ligjore për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të garantojë zgjidhje të qëndrueshme dhe të jetë në pajtim me ligjet ndërkombëtare.
Në një prononcim për gazetën “Koha”, në Prishtinë, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Mogherinit thotë se BE është e fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje, për të cilën pajtohen të dyja palët.
E pyetur për idenë e korrigjimit të kufijve, e cila mbështetet nga presidenti Thaçi, Kocijançiç i është referuar deklaratës së para disa javëve të Mogherinit, në takimin joformal me ministrat e Jashtëm të Ballkanit.
Në këtë event të zhvilluar në fillim të shtatorit, Mogherini është shprehur se mbështet çdo rezultat të bisedimeve, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë europiane. Dhe kjo do të thotë, sipas saj, refuzim të çdo rezultati që synon shtete të pastra etnikisht – një refuzim i shprehur me gjuhën e komplikuar të diplomacisë ndaj planeve për „spastrime etnike” në territoret e dy shteteve.



