
Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, i kërkoi të premten Brukselit rimbursimin e shpenzimeve për sigurimin e kufijve gjatë krizës së emigrantëve. “Kemi shpenzuar mbi 1 miliard euro në mbrojtjen e kufijve. Nuk kemi mbrojtur vetëm veten, por edhe Europën. Të paktën gjysma e kësaj shume duhet të na kthehet mbrapsht”, është shprehur Orban në një video të postuar në profilin e tij në “Facebook” pak para një mbledhjeje informale të liderëve të BE-së në Bruksel.
Orban ka qenë gjithmonë një kundërshtar i fortë i qëndrimit të Brukselit për emigrantët. Ai ka deklaruar shpesh se “Bashkimi Europian u përket qytetarëve europianë”, duke mos pranuar të bashkëpunojë me vendet e tjera të Europës për përballimin e krizës së emigrantëve.



