
Politologu Ilir Kalemaj ka komentuar në MCN Live procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri, dhe zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike. Kalemaj tha se pala e drejtuar nga Alibeaj nuk pati strategjinë dhe numrat lidhur me negociatat për kreun e ri të shtetit.
Të dyja palët po bënin sikur, PS po bënte sikur po ftonte opozitën, dy pjesët e PD-së po bënin sikur po ‘luanin Presidentësh’. Pjesa e Alibeajt po bënte sikur po merrte pjesë në proces, ndërsa pjesa e Berishës po bënte sikur ishte ftuar, por kishte refuzuar ftesën. Raundi i katërt do të ketë një emër nga mazhoranca. Z. Balla e la të hapur mundësinë që të takohet me kryetarët e grupeve, për një President më përfaqësues, ku do të synohen 2/3. Çfarë mund të bënte PD? Më e mira do ishte të dilnin me një emër, jo vetëm brenda grupit të Alibeajt. Nëse do dilnin me një emër, do kishin legjitimitetin t’i thoshin Ramës që në dolëm nga sinoret e ngushta të partitizmit. Nëse përfitimet ishin të dukshme në kampin socialist, përfitimet ishin të munguara në kampin demokrat. Pala e Berishës u deklarua që ky është një proces farsë që në krye të herës. Janë legjitim në atë që bënë. Pala e Alibeajt nuk pati strategji si do reagonte, ndoshta nuk patën as numrat, as kohezionin e brendshëm”.
Duke komentuar zërat kritikë brenda PS-së, Kalemaj tha se e sheh të pamundur që ata të votojnë kundër linjës Rama në raundin e katërt dhe të pestë, duke vënë në dukje se nuk kanë sinergji, aksion dhe bazë elektorale të sigurt.
Deri në raundin e tretë mund të kishte përpjekje për të votuar kundër lidershipit. Mendoj që është e pamundur nëse realizohet në raundin e 4 dhe të 5. Deputetët aktualë e dinë që janë të varur në fije të perit nga zgjedhjet e parakohshme, që do sillnin PS-në në pushtet, por që do rrezikonin nëse do e shpallnin disidencën e tyre përmes votës. Problemi i këtyre zërave është që nuk kanë sinergji, aksion, bazë elektorale të sigurt. Braçe ka qenë i mandatuar në Fier dhe Berat, por nuk është se ka një fluks që e ndjek. Fluksi i Xhafës qëndron jashtë Parlamentit, mbështetja e Erion Velisë apo eksponentëve të tjerë. E njëjta gjë vlen për Ballën, por s’mund të themi që është kritik. Majko e mban kriticizmin të heshtur, me durim murgu. Ndarja në dy pjesë e PS-së, me grupin e Ilir Metës, ishte mënyra se si PD erdhi në pushtet. Sot nëse ka shans real që PD të vijë në pushtet, do jetë një çarje e brendshme e PS. Nuk e shoh se pse duhet të ndodhë, sepse ka pushtet për t’i kënaqur të gjithë. Ka mjaftueshëm pushtet për të kënaqur ekzigjencat elektorale, dhe nuk shoh asnjë fluks ideor siç ishte LMN dikur, që të përfaqësojë një korrent politik, apo faktor politik”.
Sa i takon mundësisë për zgjedhje të parakohshme, politologu tha se ato i interesojnë më shumë Ramës se sa opozitës. Kalemaj tha se e vetmja komardare shpëtimi për Alibeajn është vendimi i Gjykatës së Apelit.
Mazhoranca ia hodhi topin në derë Alibeajt, për të nxitur diversionin. Është faji i Alibeajt që nuk pati një strategji. Shumë nga deputetët u ankuan që s’i kishte kontaktuar dhe kishte dalë me një rezolutë. Bëri që edhe ai grup me 22-23 deputetë të katandisej me 19 në finale. Tashmë e vetmja komardare shpëtimi ka mbetur vendimi i Gjykatës së Apelit”.
Lidhur me zhvillimet brenda selisë blu, Kalemaj theksoi se Berisha po tregon edhe një herë se është mjeshtër i mbajtjes së balancave.
Grupi i Themelimit pushoi së ekzistuari me Kryesinë e re. Berisha si një politikan i vjetër, me këtë mënyrë vrau 2-3 zogj, ruan balancën e brendshme politike. Disa nga bashkëpunëtorët e vjetër nuk u zgjodhën. Përmes standardit të votës synon të ruajë kohezionin e brendshëm themelues që ka mazhorancën e anëtarësisë në PD. Është 60 apo 80 për qind, është e diskutueshme. Ajo që do ndodhë me vendimin e gjykatës është e rëndësishme. Nëse do jetë në favor të grupimit Alibeaj-Basha ata do kenë mbështetje të plotë ndërkombëtare, duke përfshirë jo vetëm amerikanët, CDU-CSU-në dhe PPE-në. Së dyti kanë vulë, logo, seli, po prapë ka për të pasur një rrjedhje të qenësishme votash, sepse ‘Shtëpia e Lirisë’ apo me një emër tjetër, prapë do ketë shumicën e votave opozitare. Nëse skenari nr. 2, Grupi i Rithemelimit arrin të fitojë edhe vendimin e gjykatës, atëherë te kjo parti e tha Dash Sula ne do shkojmë kokë ulur t’i bashkohemi trenit fitues dhe të kemi një parti të unifikuar”.
Janë dy komponentë, organizimi i brendshëm politik dhe PR. Berisha ka treguar dhe po tregon që është mjeshtër i mbajtjes së balancave. Kaso dhe të tjerët do të jenë pjesë e sekretariateve. Basha i dha Alibeajt 5 poste politike. Berisha e di fort mirë që partia duhet të hapet. Faza e parë është ruajtja e balancave të brendshme. Berisha e di që e rëndësishme të mbash ata kryetar seksionesh, grup seksionesh, që janë zgjedhur me votë. Sa do arrijë të hapë PD-në dhe ta bëjë alternativë të besueshme, kjo do varet nga shumë faktorë. Varet jo vetëm nga aksioni i tij opozitar, por edhe qëndrimi i PPE apo amerikanëve. Kokalari me ikjen e saj la të kuptuar që ka një përpjekje për rikthimin e PD-së në parti të qendrës së djathtë, siç ishte. Këlliçi mbrëmë hidhte poshtë përpjekjen për rikthim në konservatorizëm”.



