
Ka ndryshuar sot trupa gjyqsore që do merrej me çështjen e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llallës.
Gjyqtarët që janë dorëhequr janë Saida Dollani dhe Dhimitër Lara. Këta të fundit së bashku me kryetaren Nertina Kosova do të merreshin me apelimin që Llalla drejtoi në Gjykatën e Posaçme e Apelit.
Si rrjedhojë seanca do të shtyhet për në datën 16 korrik, për arsye se avokati i tij mbrojtës ka kërkuar kohë për t’u përgatitur, thonë në Gjykatën e Posaçme.
“Ju përcjell informacionin se, seanca gjyqesore në ngarkim të të pandehurit A.Ll. u shty për në datë 16.07.2021, ora 11:00, për arsyen se avokati mbrojtës kërkoi kohë për tu përgatitur. Trupi gjykues pas miratimit të dorëheqjeve të gjyqtarëve S.Ddollani dhe Dh. Lara, tashmë përbëhet nga gjyqtarët Nertina Kosova, Miliana Muça dhe Enton Dhimitri”.
Ky veprim i Llallës erdhi pasi ai nuk pranoi vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për dënimin e tij me dy vite burg.
Gjykata e Posaçme gjithashtu vendosi që Llallës t’i hiqet për pesë vite e drejta për të ushtruar funksione publike.
Ai u akuzua nga SPAK për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.
Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.



