Ukraina dhe Polonia kanë rënë dakord të punojnë në kontrolle të përbashkëta kufitare si dhe një kompani të përbashkët hekurudhore për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe për të rritur potencialin eksportues të Ukrainës, raportoi Reuters.
Ministri i Infrastrukturës së Ukrainës, Oleksander Kubrakov tha se të dy vendet po punojnë gjithashtu për të lehtësuar transportin e mallrave ukrainase në Bashkimin Evropian, raportoi Reuters.
“Ne po punojmë gjithashtu në krijimin e një kompanie hekurudhore të përbashkët për të rritur potencialin eksportues të ekonomisë ukrainase”, tha Kurbakov në një deklaratë.
″Kontrolli i përbashkët doganor do të përshpejtojë ndjeshëm procedurat kufitare. Do të heqë shumicën e rreziqeve të korrupsionit”, shtoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Por është edhe fillimi i integrimit tonë në hapësirën e përbashkët doganore të Bashkimit Evropian. Ky është një proces vërtet historik”, shtoi ai.
Zelenskyy më parë tha se Rusia ka ndaluar eksportet e 22 milionë tonë ushqimeve duke bllokuar pothuajse të gjitha portet e Ukrainës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës raportoi se rreth gjysma e 6.2 milionë ukrainasve që u larguan nga vendi për shkak të luftës tani po banojnë në Poloni.



