
Miratimi për vizitë gjinekologjike nuk mund të jetë asnjëherë “i nënkuptuar” nga mjeku që duhet të vizitojë pacienten, madje as kur procedurat që ndiqen janë klinikisht korrekte. Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë në Itali, pas apelit për shfajësim të një gjinekologu që ka vizituar në mënyrë detyruese tri gra të reja pa miratimin e tyre.
Në gjykatën e shkallës së parë, mjeku u dënua me gjashtë vjet për dhunë seksuale, por prokuroria e Torinos e apeloi vendimin.
“Miratimi i drejtpërdrejtë dhe informimi janë të detyrueshëm…”, argumentohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila ka hedhur poshtë kërkesën e mjekut të dënuar.
Carlo G., mjek në spitalin e Novarës, është akuzuar nga tri gra të reja se “pa qenë nevoja dhe pa asnjë shpjegim, ai i ka “stimuluar” seksualisht, sepse donte të kontrollonte reagimin e tyre ndaj “kënaqësisë” dhe nëse ishte bërë kontrolli në “mënyrë korrekte”.
Sipas Gjykatës së Lartë, çdo herë që gjinekologu bën vizitë, duhet të marrë miratimin e pacientes. Ky është një "detyrim juridik” dhe injorimi i tij është një vepër penale, madje edhe në atë rast kur mjeku thotë se “nuk ka provuar kënaqësi”. /Marrë me shkurtime sipas Ansa.it, përgatiti Erina Çoku/



