Lidhur me prokurimin publik, konstatohet se për vitin 2016 nga totali i shpenzimeve të buxhetit prej 148,6 miliardë lekësh, vetëm 60% e totalit është prokuruar gjatë vitit 2016, pra 87,3 të 37 miliardë lekë. “Konstatohet se vetëm 41% e numrit të procedurave është realizuar me “tender të hapur lokal”, ndërsa 59% e numrit të procedurave është realizuar me procedurën “kërkesë për propozim”, pavarësisht se si nivel fondi të prokuruara këto të fundit zënë vetëm 7% të fondit të hedhur në prokurim për vitin 2016. Procedura e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” përbën rreth 30% të numrit të praktikave të prokurimit gjithsej të realizuara për vitin 2016. Për mendimin tonë, ky është nivel shqetësues”, konstaton kreu i KLSH në raportimin e bërë në Komsionin e Ekonomisë gjatë diskutimit të Buxhetit faktik 2016. Kjo lloj procedure nuk kryhet nëpërmjet sistemit elektronik, si dhe nuk kërkon njoftim publik. Pra, niveli i fondeve të prokuruara në këtë procedurë nuk është në nivelin e transparencës së procedurave të tjera. Gjatë vitit 2016 dhe në vijim të vitit 2017 KLSH-ja ka realizuar edhe një auditim performance, me temë “Procedurat e prokurimit publik në Shqipëri”, i cili u përqendrua në procedurën e prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.
Procedurat e prokurimit publik “negocim pa shpallje” janë stimuluar duke krijuar në disa raste edhe situata “emergjente”, sepse aktet ligjore për zbatimin e buxhetit nuk e lejojnë fillimin e një procedure prokurimi në rast se nuk ka kaluar buxheti përkatës ose legjislacioni nuk është plotësisht i harmonizuar e të tjerë. “Legjislacioni shqiptar në këtë aspekt të prokurimit nuk është plotësisht në një linjë me të drejtën komunitare të Bashkimit Europian, nuk ka një udhëzim specifik i cili të pasqyrojë në mënyrë më të detajuar dhe më të hollësishme hapat, afatet dhe veprimet që duhet të zbatojnë autoritetet kontraktore në rastet e përdorimit të procedurës së prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.
Në dijeninë time, në këtë moment ministritë përkatëse. Në këtë kontekst, ne kemi kërkuar vëmendje në monitorim, por edhe ndërhyrje në legjislacion për të minimizuar rastet emergjente fiktive të raportuara nga autoritetet kontraktore. Është i nevojshëm promovimi i përdorimit të sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurën e negociuar, me qëllim rritjen e transparencës”, rekomandon Leskaj. Nga auditivi, vazhdon Leskaj,- ne kemi konstatuar se kjo lloj procedure nuk është monitoruar sa duhet. “Në të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluar janë shpallur fitues 1140 operatorë ekonomikë për 5067 procedura prokurimi në total. Janë kryer teste të përqendrimit dhe nga analiza e bazës së të dhënave në lidhje me prokurimet e fituara, evidentohet që gjatë vitit 2016, 50% e vlerës totale të prokuruar është përfituar nga 57 operatorë ekonomikë ose 5 % e totalit të operatorëve, të cilët kanë fituar 14,7% prokurime nga totali i atyre të zhvilluara”.
“Të dhënat, burimi është Agjencia e Prokurimit Publik, -tregojnë se 10% e numrit total të prokurimeve u zhvilluan nga 10 autoritete kontraktore, të cilat përdorën 41 % të fondeve të prokuruara për vitin 2016. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vlerën më të lartë të fondeve të prokuruara me nivelin 11,5 miliardë lekë, pasuar nga Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme me 4,1 miliardë lekë, Bashkia Tiranë me 3,7 miliard lekë dhe KESH me 3,7 miliard lekë”, raporton Bujar Leskaj.



