Inflacioni në Shqipëri shënoi 2.9% në shtator, duke regjistruar një rënie të lehtë, por kjo nuk përkthehet në lehtësim të kostos së jetesës për familjet shqiptare. Pavarësisht ngadalësimit të indeksit të përgjithshëm të çmimeve, ushqimet vijojnë të ushtrojnë presion të fortë mbi buxhetet familjare, ndërsa rritja e kostove të transportit, energjisë dhe importeve shton pasigurinë për muajt në vijim.
Në emisionin MCN Economy, ekonomisti Pano Soko dhe eksperti i zhvillimit të qëndrueshëm Fatos Fico analizuan shifrat e fundit të inflacionit dhe ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare. Sipas tyre, inflacioni i përgjithshëm nuk e pasqyron plotësisht vështirësinë që po përjetojnë konsumatorët, veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, për të përballuar shpenzimet bazë.
Pano Soko u shpreh se niveli i përgjithshëm i inflacionit, i cili mbetet brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, nuk përbën në vetvete shqetësimin kryesor. Sipas tij, problematika qëndron te mënyra se si shpërndahet rritja e çmimeve në shportën e konsumit dhe te pesha që zënë produktet ushqimore në shpenzimet e familjeve.
Jemi në parametra optimalë, inflacioni është brenda targetit të Bankës së Shqipërisë për një vend si Shqipëria. Nuk është shqetësim ajo që po ndodh me indeksin në vetvete, por problemi është se si do të reflektohet situata në vijim. Shqetësimi më i madh është ai i çmimeve të energjisë, të cilat vijojnë të jenë të larta dhe ende nuk e kanë goditur plotësisht ekonominë. Ekonomia po mbahet në këto kushte, por nuk e dimë se sa do të vazhdojë kjo situatë. Nëse e ndajmë inflacionin sipas peshës që ka pasur secili zë i shportës në nivelin prej 2.9%, shohim se peshën më të madhe e kanë marrë ushqimet. Pra, produktet më të rëndësishme për konsumatorin janë ato që kanë ushtruar presionin më të madh mbi çmimet. Do të preferoja që presioni i inflacionit të vinte nga argëtimi dhe jo nga ushqimet, sepse këto të fundit janë të domosdoshme për çdo familje. Kjo shifër pasqyron një situatë që mund të konsiderohet parakrizë dhe që ka nisur të godasë më tepër familjet me të ardhura të ulëta.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për rritjen e kostove të transportit, duke theksuar se shtrenjtimi i karburanteve po përcillet te çmimet përfundimtare të shërbimeve dhe produkteve. Sipas tij, kjo ishte një tendencë e paralajmëruar, pasi operatorët e transportit përballen me kosto më të larta të lëndës djegëse.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje lidhet me karburantin. Pagat janë po ato, ndërsa është rritur kostoja e lëndës djegëse, e cila ka ndikuar në shtrenjtimin e transportit. Ne e kemi paralajmëruar se ata që operojnë në këtë sektor do të rrisin kostot, dhe këto kosto në fund përkthehen te konsumatori.
Nga Londra, eksperti i zhvillimit të qëndrueshëm Fatos Fico vlerësoi se presioni mbi çmimet e ushqimeve ishte i pritshëm, ndërsa efektet e plota të shtrenjtimit mund të bëhen më të dukshme në fund të vitit ose në janar. Sipas tij, ndikimi sezonal mund të zbusë përkohësisht perceptimin e situatës, por kostot reale të jetesës dhe shpenzimet e festave do të japin një pamje më të qartë të barrës mbi konsumatorët.
Besoj se kjo situatë është e pritshme. Në këtë nivel inflacioni ndikon edhe efekti sezonal, ndërsa efektet e vërteta do të shihen në fund të vitit ose në janar, pasi të kenë kaluar edhe festat dhe të jenë bërë më të dukshme shpenzimet reale. Ushqimet janë më të goditurat, sepse e ndiejnë drejtpërdrejt rritjen e kostove që vjen nga konfliktet, energjia, por edhe nga mënyra se si zhvillohet tregtia ndërkombëtare. Kostoja e rritur do të ndihet te produkte si mishi, ndërsa efektet e barrierave tregtare japin ndikim edhe te ne, pasi Shqipëria është një vend që importon shumë më tepër sesa eksporton. Duke qëndruar te mishi, kur furnizimi nga Brazili u bllokua, këto produkte dolën nga tregu dhe produktet zëvendësuese tashmë mund të kushtojnë deri në 40% më shumë. Mishi është bërë një produkt luksi, kështu që këto kosto detyrimisht kalojnë te konsumatori. Të njëjtën gjë e kemi parë edhe me perimet dhe bulmetin. Pra, kemi të bëjmë me një rritje të kostove të jetesës, e cila nuk lidhet vetëm me një produkt të caktuar, por prek disa nga kategoritë më të rëndësishme të konsumit familjar.
Fico vlerësoi se ekonomia mund të jetë ende në një situatë relativisht të qëndrueshme, por kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk po përballen me një barrë të rëndë financiare. Ai theksoi se çmimet janë tashmë në nivele të larta pas krizave të mëparshme dhe se edhe një normë e ulët inflacioni nënkupton vijimin e shtrenjtimit, jo kthimin e çmimeve në nivelet e mëparshme.
Mendoj se jemi ende në një situatë relativisht të qëndrueshme, por çdo rritje do të thotë se çmimet po shkojnë edhe më lart. Për shkak të krizave të mëparshme, ne kemi tashmë çmime shumë të larta dhe, pavarësisht se çfarë niveli inflacioni kemi sot, edhe një inflacion i ulët nënkupton një rritje të mëtejshme të çmimeve. Kjo është arsyeja pse qytetari nuk e ndien domosdoshmërisht lehtësimin që mund të sugjerojnë shifrat zyrtare.



