Algjeria do të kalojë Rusinë si furnizuesi më i madh i gazit në Itali, falë një marrëveshjeje të arritur të hënën nga kryeministri italian Mario Draghi, ndërsa Roma po përpiqet të shkëpusë varësinë nga gazi rus.
40 për qind e gazit të Italisë vjen nga Rusia, por kjo varësi tani shihet si një rrezik pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ndonëse Draghi është shumë i përkushtuar ndaj rolit të Italisë si një aleat i ngushtë i SHBA-së dhe NATO, mbështetja e gjatë e Romës tek Rusia për hidrokarburet i ka lidhur duart e Italisë kur bëhet fjalë për kundërmasat ekonomike në raport me presidentin Putin.
“Menjëherë pas pushtimit, unë njoftova se Italia do të lëvizë me shpejtësi për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Kjo marrëveshje është një përgjigje e rëndësishme ndaj këtij objektivi strategjik. Do të ketë të tjerë”, tha Draghi pas takimit me presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune.



