Një martesë e denjë për librin e rekordeve Guinness. Bashkëshortët japonezë Masao Matsumoto e Miyako, 108 dhe 100 vjeç, janë martuar në tetor të vitit 1937, katër vjet para sulmit në Pearl Harbour.
Ata kanë hyrë në rekordet Guinness si çifti me martesën më të gjatë, që janë ende gjallë.
Ata nuk kanë bërë kurrë dasmë, pasi Japonia po shkonte në luftë dhe Masao u dërgua jashtë shtetit si ushtar. Megjithatë, kjo nuk u bë pengesë për të patur një familje të madhe, përfshirë një stërnipin e 25-të, që lindi muajin e kaluar.
Marrëdhënia e tyre bashkëshortore vijon prej 80 vitesh falë durimit të Miyakos (gruaja).
“ Jam shumë e kënaqur. Është falë durimit tim”, thotë ajo teksa pozon për "Reuters" me çertifikatën në dorë.
"Ata kanë hyrë në kapitullin e fundit të jetës së tyre. Ishte një nder që ta merrnin këtë çmim. Do të doja që ata të vazhdonin të jetonin një jetë paqësore", thotë vajza e tyre, Hiromi.
Japonezët janë ndër popujt më jetëgjatë në botë. Sipas të dhënave të Ministrisë japoneze të Shëndetësisë, me një jetëgjatësi mesatare 84 vjeç, ata renditen të dytët pas Hong-Kongut.



