
Cili është raporti mes volumit të ndërtimit dhe kostos, si te banesat e thjeshta ashtu edhe te komplekset rezidenciale?
Nga pikëpamja urbanistike, çfarë përkufizohet si zonë rezidenciale dhe cilat janë kriteret që duhet të përmbushen dhe respektohen?
Këto çështje u analizuan në studion e “MCN Informacion” nga ekspertët Maks Kola, urbanist, dhe Gjergji Caca, arkitekt.
Sipas Kolës, termi “rezidencë” përdoret shpesh më tepër si element marketingu për të joshur blerësit, sesa për të reflektuar realisht standardet që duhet të ketë një zonë e tillë.
Në thelb, termat “banim” dhe “rezidencë” nënkuptojnë të njëjtën gjë, ndërsa përdorimi i fjalës “rezidencë” bëhet qëllimisht për të krijuar idenë e luksit.
Duke krahasuar kostot e ndërtimit, objektet 1–3 katëshe, si vilat individuale, në përgjithësi kushtojnë më shumë sesa ndërtesat shumëkatëshe. Kjo për shkak të natyrës së punimeve, kërkesave më të larta arkitekturore dhe pretendimeve më të mëdha të investitorëve.
Si rezultat, me të njëjtën shumë investimi, ndërtohen më pak metra katrorë në një objekt të ulët sesa në një pallat shumëkatësh.
Nga ana tjetër, arkitekti Gjergji Caca thekson se kriteri kryesor që dallon një zonë të zakonshme banimi nga një zonë rezidenciale është metri katror i hapësirës publike për banor.
Një kompleks rezidencial, qoftë me vila apo me pallate, duhet të ketë si funksion kryesor banimin, dendësi të ulët ndërtimi, hapësira publike dhe sociale, gjelbërim, si dhe infrastrukturë të plotë.
Infrastruktura nuk përfshin vetëm rrugë dhe trotuare, por edhe shkolla, qendra shëndetësore dhe akses të lehtë në rrugët kryesore të qytetit.
Zakonisht, zonat rezidenciale nuk ndërtohen në qendrat e qyteteve.
Shumë projekte që quhen “rezidenca” në fakt janë pallate shumëkatëshe, ku mungon elementi bazë, hapësira e mjaftueshme publike për banorët.
Sipas standardeve urbanistike, nevojiten të paktën 9 metra katrorë hapësirë publike për çdo banor, kriter ky që ndan zonat e mbipopulluara nga zonat e mirëfillta rezidenciale.



