Hajdar Gjoka banor i fshatit Okshtun, Rrogozhinë, i cili që në vitin 1993 është pajisur me leje për rritjen dhe tregtimin e peshqve, denoncoi në emisionin "Xhadat" problemin e tij me mosekzekutimin e një vendimi gjykate, i cili ngarkon Bordin e Kullimit dhe Shoqatën e Përdorimit të Ujit ta dëmshpërblenin atë në lidhje me dëmin që i kishin shkaktuar vite më parë. Sipas denoncuesit, vendimi që mban vitin 1997 ende nuk është ekzekutuar plotësisht.
Dy institucionet e ngarkuara me detyrimin për dëmshpërblim kishin ndërhyrë për rregullimin e portave të rezervuarit, duke bërë që një pjesë e madhe e peshkut të dilte jashtë tij, duke u dëmtuar.
Zoti Hajdar është dëmshpërblyer vetëm me tre milion e 600 mijë lekë nga Ndërmarrja e Ujërave, ndërsa 4 milion e 200 mijë lekë që i janë ngarkuar si dëmshpërblim Shoqatës së Përdorimit të Ujit ende nuk i ka marrë. Për t'u interesuar për pengesat e ekzekutimit të vendimit "Xhadat" ju drejtuan Zyrës Permbarimore Kavajë.
Ajo që zbuluan në zyrën e arkivës së institucionit ishte vërtetë skandaloze. Kolonia e krimbave hante dosjet e arkivuara në këtë institucion. Myku dhe lagështira kishin bërë disa prej tyre të palexueshme. Në përballje me drejtoreshën ajo e pranoi situatën, dhe e lidhi rastin e zotërisë me mungesën e njërës nga dosjet, që ndoshta është bërë ushqim për krimba.



