Microsoft njoftoi të premten se hakerat e lidhur me qeverinë iraniane u përpoqën të depërtonin në llogarinë e një zyrtari të rangut të lartë në fushatën presidenciale të SHBA-së në muajin qershor, disa javë pasi kishin prekur llogarinë e një konteje amerikane.
Shkeljet ishin pjesë e përpjekjeve në rritje të grupeve iraniane për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në muajin nëntor, thanë studiuesit në një raport i cili nuk jepte ndonjë detaj të mëtejshëm mbi zyrtarin në fjalë.
Raporti vjen pas deklaratave të fundit nga zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane se kishin parë që Irani shtonte përdorimin e llogarive klandestine të mediave sociale me synimin për t’i përdorur në përpjekje për të mbjellë mosmarrëveshje politike në SHBA.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork i tha Reuters në një deklaratë se aftësitë e tij kibernetike ishin “mbrojtëse dhe proporcionale me kërcënimet me të cilat përballet” dhe se nuk kishte plane për të nisur sulme kibernetike.
“Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një çështje e brendshme në të cilën Irani nuk ndërhyn”, shtoi misioni në përgjigje të pretendimeve në raportin e Microsoft.
“Një grup i drejtuar nga njësia e inteligjencës e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i dërgoi një email një zyrtari të rangut të lartë të një fushate presidenciale dhe një grup tjetër me lidhje të vlerësuara me IRGC komprometoi një llogari përdoruesi me leje minimale aksesi në një qeveri në nivel qarku”, thuhet në raport.
Ai tha se aktiviteti dukej pjesë e një shtytjeje gjithnjë e më të gjerë nga grupet iraniane për të fituar inteligjencë mbi fushatat politike të SHBA-së.
Hakerët nuk ishin në gjendje të hynin në asnjë llogari tjetër përmes asaj shkeljeje dhe objektivat u njoftuan, shtoi raporti.



