
Një gjykatë në Korenë e Jugut dënoi me 20 vjet burg këshilltaren dhe shoqen e ngushtë të ish-presidentes Park Geun-hye, për korrupsion, ndikim dhe abuzim me pushtetin. Choi ka qenë në epiqendër të skandalit të korrupsionit që çoi në shkarkimin e presidents.
Ndërkohë, edhe vetë Park është nën akuzë për 12 akuza, por nuk ka pranuar asnjë.
Choi është shpallur fajtore për influencën e saj te presidentja për të detyruar gjigantin e elektronikës, Samsung, dhe atë të veshjeve, Lotte, për të dhuruar miliona dollarë për dy OJQ të kontrolluara prej saj.
Gjyqtari i çështjes tha se Choi i ka përdorur lidhjet me presidenten Park për të kërkuar rryshfet, duke ndërhyrë gjerësisht në çështjet e shtetit.
Gjykata e Seulit e dënoi Choi-n edhe me një gjobë prej 16.6 milionë dollarë. Ish-presidentja Park akuzohet për bashkëpunim me Choi-n. Ajo mbetet në paraburgim, ndërsa vendimi për të pritet në muajt e ardhshëm.
Park u largua nga pushteti në mars të vitit të kaluar, pasi Parlamenti votoi shkarkimin e saj. Ajo u bë kështu presidentja e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike që shkarkohet nga detyra.
Pasi humbi imunitetin, ndaj saj u ngritën akuzat për rryshfet, abuzim me pushtetin dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. / BBC / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



