Xhepa: Në Shqipëri po rishfaqet mizerja! Nga paketa e qeverisë përfitojnë vetëm 9 për qind (VIDEO)

Xhepa: Në Shqipëri po rishfaqet mizerja! Nga paketa e qeverisë përfitojnë vetëm 9 për qind (VIDEO)

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se paketa anti-krizë e Shqipërisë nuk ka qenë gjithëpërfshirëse dhe e fuqishme. Xhepa vuri në dukje se nuk mbulohet as gjysma e minimumit jetik, ndërkohë që përfitojnë vetëm 9 për qind e popullatës, nga 40 për qind që jetojnë në varfëri. Eksperti i ekonomisë paralajmëroi se në Shqipëri po rishfaqet mizerja, që ishte harruar.

Nëse do t’i referohemi eksperiencës së vendeve të tjera, nga rajoni apo BE, masat e qeverive të tjera kanë qenë mjaft më gjithëpërfshirëse dhe shumë herë më të fuqishme. Kontraston mbështetja që është bërë nga qeveria, ku grupet përfituese mbeten kategoritë tërësisht vunerabël. Në Shqipëri gati 40 për qind jeton në varfëri, kështu që popullata është e kufizuar. Indeksimi i pensioneve është masë pozitive, por mënyra e aplikimit duhet të ishte e ndryshme. Në Shqipëri ata që kanë dalë në periudha të hershme në pension kanë një normë pensioni mjaft të ulët, kjo ka bërë që pensioni mesatar të jetë 15 mijë lekë. Nga kjo pikëpamje mendoj që masa e rritjes duhet të ishte më e fortë për pensionet e ulëta. Indeksimi njëlloj është një padrejtësi sociale, ndërkohë që ka pasur angazhim të gjithë qeverive për indeksim më të fortë të pensioneve të ulëta. Fenomeni i rritjes së çmimeve është me efekte jashtëzakonisht serioze për këtë kategori të popullatës. Mendoj që skemat duhet të zgjerohen jo vetëm për ndihmën ekonomike, asistencë sociale, por të përfshihen edhe komunitetet rome dhe egjiptiane. Edhe studentët janë një grup vunerabël i shoqërisë. Pjesa më e madhe vijnë nga familje me të ardhura jo të kënaqshme ekonomike. Një ndihmë me 100 euro që mund të jepet njëherë nuk do të ishte barrë e papërballueshme për buxhetin. Vetëm të ardhurat shtesë të buxhetit për këto 8 muaj, janë 51 miliardë lekë më shumë. Mundësitë financiare nuk do përbënin problem për mundshmërinë e tyre financiare”

Xhepa thotë se qeveria duhet të shkojë drejt mbështetjes në bllok të familjeve, duke shtuar se fasha e vendosur për energjinë elektrike, mund të prekë edhe familjet me të ardhura të mesme.

Ne duhet të shkojmë drejt mbështetjes në bllok të familjeve. Duhet të kemi paketa të integruara, që s’nënkuptojnë vetëm ndihmën ekonomike, por edhe ndihma ushqimore, shërbim shëndetësor, nevojat bazike me utilitete, furnizimi me energji elektrike, ujë të pijshëm etj. Ishte koha për të menduar për një revizionim kryesor të mënyrës së funksionimit të skemës. Në periudhën e dimrit edhe familjet me të ardhura të mesme bëhen konsumator më të mëdhenj të energjisë, fasha mund të ndikojë te të ardhurat e tyre”.

Eksperti thotë se në Shqipëri ndiqet ende vija e varfërisë që Banka Botërore zbaton për vendet shumë të varfra të botës, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar minimumi jetik.

Në çdo vend të botës minimum jetik është metodologjia e vetme për politikat sociale. Aplikohen programe të ndryshme, që nga pagesa më pak e tatimeve. Në Shqipëri kemi ndjekur vijën e varfërisë që BB e zbaton për ekonomitë shumë të varfra të botës, me 5,5 dollarë për vendet e Afrikës dhe vendet në zhvillim. Ndërkohë që Shqipëria e ka kaluar këtë prag. Përdorimi i kësaj vije të varfërisë është i tejkaluar. Ne si shoqëri duhet të kryejmë studimet tona mbi minimumin jetik, që të jetë bazë për politikat fiskale. Nëse përcaktojmë minimumin jetik dhe qenka 40 mijë lekë, ky mund të jetë pragu për kreditimin tatimor. Masa mbështetëse e ndihmës ekonomike është e barabartë me 20 për qind të kufirit të varfërisë të vendosur nga BB. Masa e mbështetjes për ata me ndihmë ekonomike është qesharake. Jo vetëm nuk mbulon nevojat e minimumit jetik, por nuk mbulon as gjysmën e asaj që është minimumi jetik. Përfitues është vetëm 9 për qind e popullatës, ndërkohë që 40 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri. Janë përjashtuar mjaft familje që jetojnë nën minimum jetik, por që s’janë përfshirë për shkak të kritereve. Fatkeqësisht në Shqipëri po shfaqet mizerja, që ishte harruar. Mund të mos ketë njerëz që vdesin për bukë, por ka familje që kanë probleme serioze për plotësimin e nevojave bazike”.

I pyetur se sa duhet të jetë minimumi jetik në vendin tonë, Xhepa tha:

Ka metodologji rigoroze nga pikëpamja shkencore, që lidhet me kaloritë që duhet të marrë një individ, veshmbathje dhe utilitete bazike. Në Shqipëri Avokati i Popullit ka vlerësuar që duhet të ishte 30 mijë lekë të reja. Por me kontekstet e reja, me gërryerjen e parasë duhen vlerësime të tjera. Nuk gjejmë te INSTAT burime sa i takon të ardhurave të qytetarëve shqiptare”.

Xhepa tha se i duket e pakuptimtë që qeveria këmbëngul me amnistinë fiskale, ndërkohë që BE është kundër, duke shtuar se nisma është mundësi e artë për pastrimin e parave.

Më duket e pashpjegueshme dhe non sens këmbëngulja për të kaluar ligjin për amnistinë fiskale, ndërkohë që partnerët bëjnë thirrje për heqjen dorë nga kjo ide. Nuk sjell përfitime, pasi problem i Shqipërisë nuk është likuiditeti, por mungesa e investimeve. Në krahasim me humbjet dhe minuset që jep në ekonomi, duhet të jemi më seriozë në marrëdhëniet me partnerët. Shqipëria është në listën e gri të Moneyval dhe kjo është mundësi e artë për pastrim parash. Qeveria duhet të heqë dorë nga kjo nismë”.

Lidhur me dhënien e pasaportave me koncesion, Xhepa u shpreh:

Është e çuditshme se si arrijmë të gjejmë hapësira dhe oportunitete të mëdha për PPP duke përfshirë edhe funksionet esenciale të shtetit. Me duket ironi e madhe për më tepër kur një forcë e majtë lëviz në një kah të tillë. Pasaporta shqiptare nuk ofron akses dhe privilegj. Nuk besoj se investitorët europianë do të ishin të interesuar. Marrja e pasaportës do bënte kuptim kur ka trajtim të diferencuar fiskal. Cili është motivi i dhënies së një pasaporte, kur mbajtja nuk sjell dobi apo përfitime konkrete”.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy