Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, në një apel të bërë nga studioja e “Mcn Informacion” tha që ka ardhur koha që në Shqipëri të krijohet një institut i sëmundjeve tumorale.
Gjergji tha se ky institucion do të mbështesë edhe kërkimet shkencore. Ajo vuri në dukje se edhe shefja e Onkologjikut e ka ngritur shqetësimin për ndarjen nga QSUT-ja.
“Skandali i Onkologjikut na bëri të gjithëve të reflektojmë. Shefja e shërbimit Onkologjik deklaroi se ka ardhur koha të kemi një shërbim të ndarë nga QSUT, ku të ndahen edhe buxhetet nga QSUT. Pasi buxheti i Onkologjikut zë një pjesë të vogël në shpenzimet vjetore të QSUT-së. Onkologjiku ka mbetur te i njëjti numër shtetërish, e njëjta sipërfaqe, ndërkohë që prevalenca e sëmundjeve tumorale është rritur. Është një çështje që është ngritur. U premtua nga MSH që duhet të ketë një studim, për të krijuar një institut më vete. Është rasti edhe për një thirrje publike, ka ardhur koha për një Institut të Sëmundjeve Tumorale, edhe për të mbështetur kërkimet shkencore”.
Ajo shtoi se politikëbërja duhet të rrisë numrin e mjekëve specializantë. Po ashtu ajo vë në dukje se kemi numrin më të vegjël të aksceleratorëve në rajon.
"Politikëbërja duhet që në numra të rrisë numrin e mjekëve specializantë. KLSH në raportin përfundimtar ka thënë që numri i mjekëve onkologë në Shqipëri është shumë i ulët, edhe numri i infermierëve po ashtu. Vazhdon të mbetet shkaku kryesor mungesa e vullnetit politik. Edhe ata që e kanë drejtuar deri më sot këtë shërbim, duhet të mbanin një përgjegjësi përse ka dështuar. Kemi dy aksceleratorë që është numri më i vogël në rajon".



