
Kosova sot voton në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të 21 komunave.
Lidhur me faktin se si ka ecur ky proces dhe cilat janë risitë e votimeve, drejtori i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, Sadri Ramabaja, thotë përmes Skype për edicionin e lajmeve në MCN TV, se këto zgjedhje do të karakterizohen për një rikëndellje të opozitës në disa komuna të mëdha në Kosovë.
“Rezulton se ka pasur ndonjë lëshim të vogël në ndonjë qendër periferike dhe deri më tani janë 24 % e qytetarëve që kanë votuar. Ajo që u vu re gjatë tërë vitit, meqë patëm edhe zgjedhjet parlamentare, edhe në këto zgjedhje, po vërehet se po përsëritet trendi i demokracisë së etabluar. Ka rikthim të opozitës në disa qendra të pushtetit lokal një rikëndellje të opozitës, krijim i balancës mes pushtetit qendror dhe lokal që demokracisë i bën mirë”.
Faktin se raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve për kryetarë dhe përfaqësues të këshillave komunalë, në disa komuna gara ka qenë më e fortë, z. Ramabaja, e shpjegon me faktin se pushteti lokal është marrë më seriozisht nga disa parti.
“Zgjedhjet lokale e kanë dëshmuar se demokracia po vjen duke u maturuar, për një demokraci liberale në Kosovë, pushteti lokal është marrë me seriozitet të duhur veçmas në disa qytete ku ka qenë më e përqendruar, sidomos në Prishtinë të gjitha partitë politike kanë qenë më të kujdesshme sa i takon listave dhe kandidatëve për kryetar”.
Ramabaja, gjatë analizës së tij, akuzoi se do të dështoj qytetaria e Prishtinës poqese kthehet LDK-ja në pushtet lokal në kryeqendër.
“Unë kam qene asamblist i parë i VV dhe e njoh mjaft mirë qytetin e Prishtinës, dhe e di se LDK është e përfshirë në fije të thella të mafias së ndërtimit. Rikthimi i LDK në krye të kryeqytetit, për mua, do të nënkuptonte humbje fiasko e qytetarisë prishtinase”.



