
Deputetja demokrate Albana Vokshi thotë se e premtja ishte një ditë mirë për Partinë Demokratike, për të djathtën dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
Nëse është një Parti Demokratike e fortë dhe e bashkuar, ka një opozitë më të fortë dhe vendit i duhet një opozitë më e fortë. 6 marsi vërtetoi se kë mbështesnin demokratët, 70% me 30%. 6 marsi vërtetoi se kush ishte opozita e vërtetë por edhe dha një mesazh tjetër që ishte bashkimi. Pa bashkimin ne nuk bëjmë dot përpara. Ne duhet të jemi bashkë dhe të punojmë edhe me pjesën që nuk doli për të votuar.
Kështu tha në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, deputetja Albana Vokshi, pasi Gjykata e Tiranës njohu ditën e sotme ndryshimet e bëra në statutin e PD nga Komisioni i Rithemelimit, në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Dorëheqjen e Lulzim Bashës e cilëson si shumë të vonuar, duke thënë se duhet ta kishte dhënë shumë më parë.
Sipas saj, dorëheqje është të heqësh dorë nga një funksion apo përgjegjësi, por shtoi se ai ishte i shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit, dhe se karrigia ishte e uzurpuar për interesa të tij personalë.
Dorëheqjen nuk ia beson asnjë njeri. Akoma njerëzit pyesin sot nëse është dorëhequr seriozisht, se nuk i besojnë asnjë gjë. Është shkarkuar si kryetar dhe më së fundi vendosi që të lirojë dhe karrigen e uzurpuar. Vendimi i gjykatës është rutinë, por shumë i rëndësishëm për PD. E rëndësishme është që mesazhi që duam të japim, është që të jemi bashkë. Nuk ka më përjashtime. Kjo ishte dhe biseda brenda zyrës së zotit Bardhi dhe kjo u diskutua dhe në mbledhjen e fundit.
Lidhur me kërkesën për tu larguar Sali Berisha, deklaroi se është vota që do të vendosë.
Nëse demokratët votojnë Sali Berishën, është ai që duhet të jetë në krye të PD. Nëse votat i merr një kandidat tjetër, atëherë gjithsecili prej nesh do të rreshtohet pas tij. Kam punuar me zotin Berisha dhe kur ishte Kryeministër, kam përfituar më së shumti në administratën publike kam qenë këshilltare e tij dhe drejtoreshë për përfitimin e ndihmës së huaj. Mbas vitit 2013, i kam thënë në mënyrë sistematike për t’u rikthyer sa herë gjërat nuk shkonin mirë në PD. Më ka thënë “jo” e kam vendosur, kam ikur për mos t’u kthyer më.
Ajo shtoi se Sali Berisha nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes së PD, por se në mbledhjen e grupit parlamentar e jepte mendimin e tij.



