Është shtyrë për nesër në mëngjes raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas mediave lokale, negociatat pritet të zhvillohen pranë zonës ku ndodhet pylli Belovezhskaya Pushcha të rajonit Brest të Bjellorusisë, në kufi me Poloninë.
"Delegacioni ukrainas do të arrijë nesër në mëngjes në vendin e planifikuar për bisedime me Rusinë". Kështu deklaroi kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinsky, duke konfirmuar se zona është zgjedhur me marrëveshje të përbashkët me Kievin.
Për këtë vendimarrje, ushtria ruse i ofroi një korridor sigurie delegacionit ukrainas, shtoi ai, cituar nga Tass. Nga ana e tij, Kievi konfirmoi se negociatorët e tij janë nisur për të arritur në kohë në vendin e takimit.
Ndërkohë që palët do të ulen në tryezën e bisedimeve, vazhdon pa ndërprerje ofensiva ruse në Ukrainë. Qendra e qytetit të Kharkiv-it u godit përsëri nga raketat ruse, ndërsa forcat separatiste pro-ruse të Republikës Popullore të Donetskut rrethuan Mariupolin.
Ndërkaq, kryebashkiaku i qytetit ngriti alarmin: “Jemi pa ujë, janë mbi 500 mijë njerëz të bllokuar”. Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Sergiy Orlov, i tha BBC-së se besohet se qindra njerëz kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.



