Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka folur në Komisionin e Ligjeve për videon e cila bëri xhiron e rrjetit, ku një e re në Librazhd u kap në flagrancë duke tradhtuar burrin e saj dhe që më pas u dhunua fizikisht dhe verbalisht nga vjehrra dhe Vjehrri.
Ballanca tha se gazetarët duhet të raportojnë fakte konkrete dhe të dinë se kanë përgjegjësi, jo të bëjnë artikuj dhe të jenë të sigurt se fshihen pas portaleve e nuk i prek ligji.
Sa i përket ligjit për lirinë e medias, mendoj që të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm para ligjit. Nëse një person ka një portal nuk mund të pretendojë se është e drejta e tij për tu fshehur pas portalit për shkak të lirisë së medias. Secili person nëse e shkel lirinë e medias duhet të jetë i regjistruar dhe të shkojë në gjykatë ashtu siç shkonte një gazetar që shkruante në shtypin e shkruar me emër dhe mbiemër. Ne nuk mund të jemi të papërgjshëm. Është tjetër gjë të jesh i pacënueshëm, duhet të jesh i përgjegjshëm, të shkruash gjëra të vërteta, të ndash opinionin nga fakti. Gazetarët duhet të raportojnë faktin korrekt pa kufizime. Të identifikohen personat pas portaleve, por duhet ta dinë që e kanë detyrimin që të jenë përgjegjës. Sigurisht që qeveria dhe shumë vende të tjera duhet të çojnë në gjyqe gazetarët me shumë kujdes. Qytetarët sot kanë mjete të kufiuzuara për këtë çështje.
Shoqëria shqiptare vazhdon të mbetet shoqëri e dhunshme. Unë që vitin e parë në fjalën e drejtuar Kuvendit kam deklaruar se dhuna do të sjellë një ashpërsim të gjuhës edhe në nivele të tjera te të rinjtë. Nuk jemi rritur në një ambient të tillë dhe prapë jemi bërë të dhunshëm. Vazhdon të mbetet i ulët niveli i kuptimit të tjetrit për mendimin e tij ndryshe. Për rastin e djeshëm mendoj se është rast i turpshëm, është një rast që na tregon se duhet të marrë fund vlerësimi i personave në përgjithësi dhe grave në veçanti për shkak të seksualitetit të tyre. Gjithçka ne jemi sipas shoqërisë shqiptare formëzohet nga seksualiteti. Unë e mirëpres që edhe ju të keni ndonjë kërkesë konkrete por marrëdhënia jonë me komisionerin është e shkëlqyer për bashkëpunimin.



