Pas “Audi”-t të verdhë, një tjetër makinë e këtij lloji është në kërkim nga policia italiane. Shkelësit e ligjit dyshohet të jenë shqiptarë dhe për “sulmet” e tyre përdorin një “Audi” ngjyrë gri. Mediat italiane shkruajnë se një grup shqiptarësh dyshohen si autorët e rreth 20 rasteve të vjedhjeve të bankomateve.
Policia ka konstatuar se ata përdorin një lloj gazi që përdoret zakonisht në ofiçina dhe kantiere për të prerë metalet. Pasi shkatërrojnë bankomatin, ata largohen më një “Audi R6”. Në shënjestër të këtij grupi janë zakonisht bankomatet pranë rrugëve kryesore që lidhen me autostradat. Kjo strategji dhe mjeti i shpejtë që përdorin ua ka bërë të mundur që të dalin pa u lagur në të gjitha rastet, të regjistruara kryesisht në Pavia, Cremona, Breschiano etj.
Policia dyshon se mjetit i ndërrohen targat nga vjedhja në vjedhje. Këto të fundit bëhen zakonisht mesnatën mes të premtes dhe të shtunës, kur bankomatet mbushen.



