Urbanisti Artan Kacani ndan bindjen se tregu i ndërtimit në Shqipëri nuk po udhëhiqet më nga nevoja për banesa, por nga interesa të tjera financiare.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi sektori i ndërtimit është kthyer në një instrument industrial, jo sipas kërkesës, ofertës dhe logjikës.
Ai shtoi se nëse mbledhim të ardhurat bankare në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, nuk do mbulohej as 20% të ndërtimit të ndodhur në Tiranë.
Sipas tij, kjo do të thotë se 80% është ndërtuar me para në dorë dhe se kemi të bëjmë me një sektor të pagjurmueshëm.
Kacani u shpreh se për sa kohë 40% e apartamenteve mbeten bosh, dëmi më i madh është financiar, ai i prishjes së tregut dhe lidhjes mes kërkesës dhe ofertës, duke zhytur gjithnjë e më shumë familje në kredi.
Ai nënvizoi se banesa është kthyer si një mënyrë investimi në bursë, ku qëllimi nuk janë familjet.
Nuk ka interes vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar për atë që po ndodh në Shqipëri në sektorin e ndërtimit që zë 16% të GDP. Sektorin e ndërtimit e kemi kthyer në një instrument industrial, jo sipas kërkesës, ofertës dhe logjikës.
Në një studim për paratë e investuara në ndërtim, kam marrë tre statistika kryesore të INSTAT, Bankës së Shqipërisë për kreditë e dhëna për qëllime ndërtimi dhe llogarisim investimet e huaja që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime ndërtime.
Nëse mbledhim të ardhurat bankare në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, nuk do mbulonim as 20% të ndërtimit të ndodhur në Tiranë. Kjo do të thotë se 80% është ndërtuar me para në dorë, me para kesh. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një sektor të pagjurmueshëm.
Në banka të ndryshme nëse qytetarët do shkojnë të kërkojnë një kredi në bankë, normalisht nuk do mbulojnë 100% të gjithë ndërtesës. Ne rrezikojmë një flluskë imiobiliare bankare, por deri diku ka një përkujdesje. Por ajo që presim është që familje të reja presin banesa të përballueshme, lidhur me mundësinë për të paguar me ¼ e rrogës.
Nëse shkon më shumë se ¼ e të ardhurave familjare, kjo kosto është e papërballueshme. Për sa kohë 40% e apartamenteve mbeten bosh, dëmi më i madh është financiar, i prishjes së tregut dhe lidhjes mes kërkesës dhe ofertës dhe duke zhytur gjithnjë e më shumë familje në kredi.
Qytet përjashtues do të thotë kur familjet nuk do të jetojnë më në qendër, por gjithnjë e më në periferi, larg punës dhe shërbimeve dhe kjo krijon pabarazi mes shtresave të shoqërisë.
Ndërtimi në Shqipëri është kthyer në një lavatriçe të madhe të parasë ndërkombëtare. Ne kemi dalë jashtë një tregu normal. Kushdo që ndërton në Shqipëri nuk ka interes familjet shqiptare, por rritjen e vlerës së kapitalit të tyre.
Banesa është kthyer si një mënyrë investimi në bursë, jo qëllim i familjes, por qëllim transaksioni ndërkombëtar.



