Përzgjedhja e një amerikaneje si kandidatja kryesore për postin e kreyeekonomistes së konkurrencës në BE rezultoi e gabuar për shefen antitrust në BE, Margrethe Vestager. "Thjesht doja të gjeja personin e duhur dhe ta bëja atë në mënyrën e duhur dhe më pas, e dini... shit happens*," i tha Margrethe Vestager një gazetareje të POLITICO-s. Fiona Scott Morton, e cila përshkruhet si një nga "ekonomistet më të mira në botë" në fushën e saj, u përzgjodh nga Vestager për rolin me ndikim të lartë këshillues të konkurrencës në BE. “Shit” që përmend Vestager erdhi nga një drejtim: presidenti francez Emmanuel Macron iu bashkua politikanëve të tjerë francezë në kritikat drejtuar Komisionit Evropian për zgjedhjen e një amerikaneje për postin e lartë të BE-së. Macron tha se as SHBA dhe as Kina nuk do të lejonin diçka të ngjashme dhe se do të ishte "jashtëzakonisht shqetësuese" nëse një ekonomisti të kualifikuar të BE-së nuk i besohet kjo punë. Kjo bëri që Morton të tërhiqej nga kandidatura, duke përmendur si arsye "polemikat politike që kanë lindur për shkak të përzgjedhjes së një jo-evropiani" për këtë punë. Vendi vakant u shpall në mars dhe në kriteret për t’u kualifikuar nuk përmendej të qenit qytetar i BE-së. Për të u paraqitën vetëm 11 kandidatë, mes të cilëve Scott Morton ishte më e kualifikuara, tha Komisioni. “Padyshim që kemi bërë një gabim politik,” tha një zyrtar i Komisionit, në kushte anonimati. “Ne mund ta kishim parashikuar që francezët, të cilët kanë një lloj marrëdhënie dashurie-urrejtjeje me Shtetet e Bashkuara, do të reagonin kështu.” “Ne menduam se ishim autoriteti më i mirë i konkurrencës në botë, se nuk kishim asgjë për të provuar dhe se mund ta hapnim lojën për të marrë më të mirën,” tha zyrtari për POLITICO. *Shit happens - shprehje e zhargonit të përditshëm që përdoret si një vëzhgim i thjeshtë ekzistencial se jeta është plot me ngjarje fatkeqe të paparashikueshme, e ngjashme me "c'est la vie".



