Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu duke folur në MCN Live i konsideroi kandidatët e PS për bashkitë e vendit si zgjatime të Ramës.
Mediu vuri në dukje se opozita duhet të krijonte grupe koordinimi dhe sinergji elektorale.
Sipas tij kjo gjë ka ndodhur vetëm nga kandidatët e Durrësit dhe Elbasanit, që kanë treguar më të mençur se sa lidershipi politik.
Shqipëria ka dalë nga binarët e një shteti kushtetues dhe ligjor. I referohemi një individi që e konsiderojmë pushtet absolut, mbi ligj dhe kushtetutë. Këtu ka edhe meritën idiote edhe opozita me veprimet që ka bërë, duke i dhënë gjithçka në pjatë të argjendtë Edi Ramës. Ai ka shkatërruar gjithë sistemin, në mënyrë të veçantë sistemin zgjedhor. Që të flasim për rezultatin duhet të shtrojmë një pyetje: A kemi sot kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme? Ju përmenda disa elementë të cilët janë shumë domethënës për rezultatin e zgjedhjeve. Sepse nuk pritet që rezultati të ndryshojë në qendrat e votimit.
Kandidatët e opozitës sot nuk kanë vetëm 4 parti politike. Sepse ‘Bashkë Fitojmë’ është subjekt zgjedhor, nuk është koalicioni opozitar. Koalicioni opozitar është 25 parti dhe që të kishte sukses duhet të kishte një grup koordinimi dhe veprimi të përbashkët të të gjithë fluksit opozitar, në nivel këshilltarësh apo lidershipi politik për të vepruar në interesa dhe sinergji elektroale. Kjo gjë ka ndodhur në Durrës, Elbasan, ku kandidatët kanë qenë më të mençur se lidershipi politik për të thirrur në grupet e tyre elektorale edhe këshilltarët e partive të tjera dhe ata që kanë qenë të ndarë në PD. Tendenca te PD, ishte Luli i madh, ishin të gjithë Lula të mëdhenj, është Berisha i madh ishin të gjithë Berisha të mëdhenj. Por nuk është ashtu. Autoriteti i liderit është autoriteti i liderit ti sillu për atë peshë që ke. Nuk është beteja brenda llojit, është beteja sa kemi ne më shumë në raport me mazhorancën. Po marr Durrësin, Agron Duka ka një peshë të rëndësishme dhe duhej thirrur që të merrej me Durrësin. Duhej ndarë përgjegjësia sepse PS e ka ndarë këtë lloj përgjegjësie shumë më qartë se ne. Ne bëjmë fushatë të përgjithshme pa ecur në mënyrë specifike te target grupe.
Belind Këlliçi ka bërë propozime që mund të biem ose mos biem dakord në diskutimin tonë. Besoj që arriti ta ngrejë qasjen e tij politike, edhe si frymë, mbi nivelin e lidershipit opozitar, ta nxjerrë veten te një trend tjetër jo thjesht si shtesë e lidershipit opozitar. Nëse do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme Tirana është një vend ku pretendohet të fitohet. Durrësi nuk ka të krahasuar, me gjithë respektin se nuk flas keq për zonjat, por kualiteti i Carës nuk është i krahasueshëm me zonjën që drejton bashkinë sot. Unë kam kërkuar që çdo votë republikane do shkojë edhe për kandidatin mazhoritar. Kontributi që jep PR duke qenë më vete është shumë më i madh se sa po të ishte në koalicion. Elbasani është betejë jashtëzakonisht e fortë. Unë kamë vlerësim shumë më të madh për Boçin se sa për Llatjan. Kandidatët e PS janë zgjatime të Ramës. Fushatën në Elbasan po e bën Gjiknuri, por nuk është kandidat. Ndryshe ndodh në atë që pasqyron z.Boçi.
Përveç shpopullimit është shpërbërja e administrimit të territorit. Shqipëria po kthehet thjesht në qendra qytetesh duke lënë mënjanë territore të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe urban. Opozita ka detyrë imediate garantimin e votës së diasporës, ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të lejuar garë”.



