Pas fitores së Fredi Belerit, në Himarë ka shpërthyer festa. Por për policinë, situata e krijuar atje konsiderohet e nxehtë dhe po mbahet nën monitorim. Në studion e MCN TV, Llabani tha se në Himarë janë aktualisht forcat RENEA.
Kemi një vendim gjykate që e mban Belerin në burg pa afat. Mbetet për t’u parë nëse ky kandidat ka tentuar të blejë votën. Minimumi gjashtë muaj kërkohen për hetimin. Avokatët e tij pretendojnë ndryshimin e masës së sigurimit. Po kjo mund të agravojë situatën në Himarë. Sot Himara nga ana e policisë konsiderohet zonë e nxehtë. Kemi një kandidat fitues në burg dhe pritshmëritë e votuesve për lirimin e tij. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë agravim të situatës.
Fredi Belerin e kemi parë të sulmohet nga kryeministri gjatë fushatës si një person me të shkuar kriminale. Vetëm pak ditë para votimit, ai u arrestua. Ai ka dy avokatë, mbrohet ligjërisht. Fakti që sot në Himarë janë instaluar forcat RENEA, do të thotë që situata nuk është aq e favorshme sa i përket rendit dhe sigurisë.
Lidhur me humbjen e opozitës në bastionet e saj ku u testua për herë të parë votimi elektronik, Llabani tha se mbetet për t’u parë nëse verifikimet që do të kryhen do të vënë në dyshim legjitimitetin e këtij procesi.
Në asnjë moment nuk pamë që liderë të partive politike të njoftonin momente kur vota e tyre të vihej në diskutim. Edhe vetë KQZ nuk arriti të shpjegonte pse nuk funksionuar pajisjet e identifikimit elektronik. Celibashi në një përgjigje për MCN tha se kjo do të verifikohej pasi të përfundonte procesi. Kontestimi ka qenë për Kamzën. Kreu i PD ka deklaruar se u manipulua vota falë procesit elektronik.
Kamza shihej si një bastion ku ishte e garantuar fitorja e të djathtës. Në Kamëz, PD ka punuar, madje ka pasur edhe ish-punonjës të SHIK që kanë monitoruar procesin.
Kemi një pikëpyetje të madhe për arsyen pse nuk funksionuan këto pajisje, vetë kreu i KQZ dështoi të votonte. Mbetet për t’u parë nëse kjo pajisje ka mundësi manipulimi.



