
Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit ka ulur sërish sot çmimin e naftës në Shqipëri në 203 lekë për litër.
Kryeministri Edi Rama bën me dije përmes një postimi në rrjetet sociale se ky çmim do të jetë në fuqi nga data 16 deri në 21 mars.
Kujtojmë që një ditë më parë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve kishte vendosur që një litër naftë të kushtonte 211 lekë për litër.
Sjellim në vëmendje që prej disa ditësh kryeqyteti është përfshirë nga protestat qytetare, ku kërkohet ulja e çmimit të naftës dhe produkteve ushqimore.
Çmimi i naftës dhe hidrokarbureve në tërësi ka shënuar disa herë ulje përgjatë ditëve të fundit.



