Një seri protestash do të zhvillohen sot në Paris dhe në pjesën tjetër të Francës, në të cilat do të përfshihen sektorë të ndryshëm të thirrur nga sindikatat për të kërkuar rritje të pagave.
Sipas raportimeve të mediave, në mobilizim do të bashkohen disa kategori, si mësuesit, punonjësit publikë, punonjësit e sektorit të energjisë dhe transportit. Protesta përfshin më shumë se 150 mitingje dhe demonstrata në të gjithë vendin. Në Paris, procesioni do të nisë në orën 14:00 nga Place d'Italie.
Sipas një sondazhi të kryer për transmetuesin televiziv "BfmTV" nga instituti Elabe, 49 për qind e francezëve nuk i mbështesin grevat e sotme, ndërsa 39 për qind i mbështesin ato. Protesta mbahet në të njëjtën kohë me ata punonjës që prej ditësh bllokojnë rafineritë dhe depot e karburanteve në vend.
Mbrëmë, presidenti francez Emmanuel Macron u takua me kryeministren Elisabeth Borne dhe disa nga ministrat e saj për të vlerësuar situatën. Kreu i shtetit këmbënguli në frymën e përgjegjësisë së të gjithëve dhe kujtoi pasojat e padurueshme për ata që vuajnë situatën.



