Në studion e lajmeve të MCN TV, pedagogu Artan Fuga tha se protesta që mbahet prej një muaji para Kryeministrisë tregon dëshirën për standarde europiane. Fuga tha se një angazhim i tillë qytetar nuk është aspak i papritur.
Shqiptarët duhej të ishin dëgjuar. Por propaganda nuk ka dashur të dëgjohen qytetarët. Janë bërë ligje, të ashtuquajtura dëgjesa me aktorë të shoqërisë civile dhe mblidhen militantë. Si është e mundur që ministrat të mos dalin në llogaridhënie në komisionet parlamentare dhe të mos dëgjosh një ministër që thotë: po, më falni kam gabuar.
Kjo protestë kërkon rivendosjen e disa vlerave që në Europë bëjnë pjesë në jetën e përditshme. Pra protesta po manifeston dëshirë për standarde europiane.
Kjo protestë sjell një integrim moral, social dhe me shpresa të vërteta të integrimit.
Ata që thonë se shqiptari në një çast të caktuar u zgjua dhe doli në revoltë, nuk e njohin situatën. Ka prova për këtë dhe e kanë gabim. E dini se ç’është largimi nga vendi? Është një revoltë, është një pakënaqësi. Një njeri që është mirë nuk largohet. E dini sa njerëz në vite kanë refuzuar të votojnë. A e keni parë në 10 vitet e fundit çfarë pakënaqësie ka pasur në rrjetet sociale.



