Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, thotë se protesta që po mbahet prej 13 ditësh në sheshet dhe rrugët e Tiranës është rebelim kundër një pushteti që qytetarët gjykojnë se nuk u përket. Ai thotë se kjo protestë nuk do ta arrijë synimin e saj, dorëheqjen e kryeministrit.
Nuk mendoj që kjo protestë ta arrijë synimin. Buron nga acarimi me pushtetin. U gjet një moment për të shpërthyer pa frikë, në mënyrë spontane.
Nuk shoh skenar që Rama të dorëhiqet. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, PS është në maxhorancë për momentin. Nuk shoh në asnjë skenar PD, siç është sot, të jetë në maxhorancë.
Protesta është e vështirë për t’u lexuar. Leximi i parë është se ata janë qytetarë të thjeshtë, nuk mund të etiketohen të gjithë kështu apo ashtu. I bashkon rebelimi kundër një pushteti që ata gjykojnë se nuk u përket. Nuk shoh klimë kundër biznesit, shoh frymë për të ndryshuar mënyrën si bëhet biznes në Shqipëri.
Lidhur me protestën e sotme në Rrjoll dhe mosndërhyrjen e policisë, Meksi tha se kjo qasje u ruajt për të mos ushqyer më tej zemërimin e protestuesve.
Policia ka ndenjur në heshtje, për të mos i hedhur benzinë zjarrit. Kësaj here ishte e tillë sepse kjo do të kishte efekt edhe te protesta e sotme.



