
Leonardo DiCaprio ka dhuruar 7.6 milionë paund për Ukrainën, e cila ka luftuar kundër pushtimit rus gjatë dy javëve të fundit .
Aktori 47-vjeçar ka një lidhje personale me kombin e pushtuar nga lufta pasi gjyshja e tij nga nëna, Helene Indenbirken ka lindur në Odesa. Ajo emigroi në Gjermani me prindërit e saj në 1917.
DiCaprio ishte mjaft i afërt me gjyshen e tij, e cila sipas raportimeve të shumta e ka mbështetur gjithmonë karrierën e tij të aktrimit.
Indenbirken vdiq në moshën 93-vjeçare në vitin 2008. Ajo e shoqëronte DiCaprion në premierat e shumë prej filmave të tij.
Sipas Polish News, donacioni i aktorit për Ukrainën u njoftua nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
Disa aktorë të tjerë kanë dhuruar gjithashtu fonde për Ukrainën.
Javën e kaluar, Mila Kunis dhe Ashton Kutcher thanë se do të dhurojnë deri në 3 milion dollarë (2.25 milion £) për të ndihmuar në furnizimin me ndihmë humanitare për refugjatët ukrainas.
Kunis, e cila ka lindur në Chernivtsi, Ukrainë, tha në një video në Instagram: “Ngjarjet që kanë ndodhur në Ukrainë janë shkatërruese. Nuk ka vend në këtë botë për këtë lloj sulmi të padrejtë ndaj njerëzimit”.
“Unë gjithmonë e kam konsideruar veten një amerikane, një amerikane krenare. Më pëlqen gjithçka që ky vend ka bërë për mua dhe familjen time. Por sot, nuk kam qenë kurrë më krenare që jam ukrainase.”
Vladimir Putin i shpalli luftë Ukrainës më 24 shkurt, duke e përshkruar atë si një "operacion special ushtarak" për të çarmatosur vendin e Evropës Lindore dhe për të hequr liderët që ai i përshkroi si neo-nazistë. NATO dhe aleatët e saj e shohin këtë si një pretekst për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të instaluar një administratë pro-ruse.
Lufta në Ukrainë ka detyruar mbi dy milionë banorë të largohen nga vendi dhe qindra kanë vdekur ose janë plagosur. Ky është eksodi më i madh i njerëzve që Evropa ka parë që nga Lufta e Dytë Botërore, kanë thënë zyrtarët, duke paralajmëruar se lufta mund të zhvendosë afro pesë milionë njerëz.
Rusia ka premtuar se do të lejojë që të krijohen pesë korridore humanitare për t'i lejuar njerëzit të largohen nga qytetet kryesore nën sulmin e forcave të Putinit. Të shtënat me armë në Ukrainë do të ndalen nga ora 7 e mëngjesit GMT (10 e mëngjesit me orën e Moskës) të mërkurën, tha agjencia ruse e lajmeve Tass. Korridoret do të çojnë jashtë Kievit, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol.



