Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët, ku riafirmojnë angazhimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Dokumenti i zbardhur nga Ministria e Mbrojtjes thekson rëndësinë e koordinimit strategjik për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë në Evropën Juglindore dhe për të rritur ndërveprueshmërinë mes forcave të tyre të mbrojtjes.
Po ashtu, në deklaratën e firmosur nga ministri Pirro Vëngu (Shqipëri), ministri Ivan Anušic (Kroaci) dhe ministri Ejup Maqedonci (Kosovë) nënvizohet rëndësia e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Pikat kryesore të dakorduara janë:
Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi industrial:
Zhvillimi dhe blerja e kapaciteteve mbrojtëse përmes projekteve të bashkëpunimit shumëkombësh. Krijimi i një industrie konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes përmes aksesit të përbashkët në burime dhe zinxhirë furnizimi. Investime në teknologji dhe inovacione për të rritur aftësinë e mbrojtjes.
Rritja e ndërveprueshmërisë mes forcave të mbrojtjes:
Shkëmbimi i ekspertizës dhe praktikave më të mira në fushën e rekrutimit dhe trajnimit ushtarak. Forcimi i bashkëpunimit akademik dhe profesional përmes akademive ushtarake. Organizimi i stërvitjeve të përbashkëta për të rritur aftësinë parandaluese dhe mbrojtëse.
Përballja me kërcënimet hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë:
Rritja e koordinimit në fushën e sigurisë kibernetike dhe lufta kundër dezinformimit. Shkëmbimi i inteligjencës për parandalimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë. Mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe rrjeteve të komunikimit nga sulmet e mundshme.
Mbështetja për integrimin euroatlantik:
Përafrimi i politikave të mbrojtjes me ato të NATO-s dhe BE-së. Mbështetje për integrimin e Kosovës në iniciativat rajonale të sigurisë. Përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,
Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,
Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t'iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,
Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,
Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për "Riarmatosjen e Evropës",
Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë,
Ne: Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:
- Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;
- Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;
- Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.2. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:
- Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;
- Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;
- Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.3. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:
- Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;
- Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;
- Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.4. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:
- Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;
- Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;
- Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.



