
Moti i keq ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona. Avari janë konstatuar kryesisht në zonat rurale. Rajonet më të prekura nga defektet janë Elbasani, Gjirokastra dhe Vlora.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se po ndjek me përparësi furnizimin me energji elektrike të të gjithë konsumatorëve nëpërmjet rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike nga Drejtoria e Tiranës dhe Drejtoritë rajonale përkatëse.
Në gatishmëri janë vendosur rreth 2200 punonjës, në nënstacione, fidra dhe nivel kabinash.
Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, po hasen në vështirësi për riparimin e defekteve, sidomos në zonat rurale ku kryesisht linjat janë ajrorë dhe terren i lagësht.
Për shkak të motit të keq me erëra dhe reshje të dendura që ka përfshirë vendin, afro gjysma e linjave që nuk punojnë janë stakuar nga vetë OSHEE si masë sigurie për të evituar rreziqet në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike.



