Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka thotë se në protestën e thirrur nga opozita në orën 17.00 të pasdites së sotme do të bllokohen akset kryesore rrugore që lidhen me Tiranën.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se në protestën e sotme si formë e mosbindjes civile është zgjedhur bllokimi i rrugëve, ndërsa ftoi policinë që të mos provokojë dhe të mos fusin civilë mes protestuesve.
Do të bllokohen disa akse rrugore që praktikisht shtrihen në të gjithë territorin e Shqipërisë, por kryesisht pika afër kryeqytetit.
Kjo është mosbindje civile dhe në raste të tilla nuk merret leje nga policia për mos tu bindur.
Kjo është më tepër për qytetarët se sa për policinë, sa herë e kanë bllokuar rrugën këta për qejfet e tyre, sa herë bën cirk Erion Veliaj, sa herë u bllokuan rrugët kur erdhi Erdogan dhe sa e sa raste të tjera.
Kjo është për qytetarët, në vend që të ketë nga ata që do mërziten, qytetarët duhet të bashkohen me ne.
Kjo protestë është për të gjithë qytetarët shqiptarë, për ata që vidhen përditë.
Duhet të reagojnë jo të rrinë dhe të bëjnë sehir dhe të akuzojnë opozitën se iu prish rehatin dhe kafen, edhe pse e ëma mund të mare pension 90 mijë lekë të vjetra dhe nuk ka lekë për ilaçe.
Sot nëse nuk kanë ndërmend të dalin në protestë, të paktën të rrinë e mos të bëjnë zë. Sa për policinë, cila polici?
Ajo që rrëmbeu ish-Presidentin e Republikës si të ishte terrorist? Ata që hynë në parlament në kundërshtim me ligjin, apo atë polici që merr urdhra nga ministri i bandave?
Pikërisht për të hequr qafe këto po reagojmë, që mos të ketë më polici të lidhur me bandat, për këtë po reagojmë.
Format e mosbindjes civile janë me dhjetëra në mos qindra.
Thashethemet që përhap propaganda e qeverisë përdoret gjithmonë, për të trembur qytetarët me thashetheme të tilla, për t’i larguar sa më shumë qytetarët nga protesta.
Sot bëhet fjalë për bllokim rrugësh, nuk ka nevojë për akte të tjera.
Nëse policia ka ndërmend të provokojë, të mbajnë përgjegjësi vetë.
Se këta fusin civilë brenda protestës që të provokojnë dhe pastaj thonë opozita.
Akset rrugore të paralajmëruara nga opozita për t’u bllokuar: “Tiranë-Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar-Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan-Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës-Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan-Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.



