Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku 1 person është vrarë dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë.
Autorët kanë shtënë me breshëri plumbash në drejtim të lokalit, brenda të cilit ndodheshin personat e dëmtuar. Ngjarja ka ndodhur në një zonë shumë të populluar, ku ndodhen lokale, supermarket dhe njësi të tjera shërbimi. Viktima është identifikuar si Erion Çela, ndërsa i plagosur në këmbë ka mbetur Arben Dani 46-vjeç, Azbi Selimaj 19-vjeç i plagosur në shpatull, Edmond Crroj 41 vjeç dhe vëllai i viktimës Blerim Çela i plagosur në këmbën e djathtë dhe në fytyrë.
Gazetarja Anduena Llabani, nga vendi i ngjarjes tregon të tjetra detaje për MCN TV. Sipas Llabanit Edmond Crroja është daja e viktimës dhe vetëm ai rezulton me precedentë penalë në Itali për trafik narkotikësh dhe mund të ketë qenë objektivi i atentatit.
“Në vendngjarje tashmë ndodhen ekspertët, policia dhe prokurorët. Emrat janë bërë të ditur tashmë por policia ka ngritur disa postblloqe për të ndaluar mjetin me të cilën është bërë largimi i autorit. Në atentate të tillë është bërë e udhës të gjenden mjetet e djegura. Në vendngjarje ka qenë edhe bashkëshortja e viktimës e cila ka qenë shtatzënë. Mësohet se në lokal nuk ka pasur persona të tjerë dhe sipas policisë Edmond Crroja është daja e viktimës dhe vetëm ai rezulton me precedentë penalë në Itali për trafik narkotikësh dhe mund të ketë qenë objektivi i atentatit. Një dinamikë e tillë është e paparashikueshme për pasojat. Është harxhuar një karikator i tërë dhe jemi me fat që raportojmë vetëm një viktimë. Makina është larguar me shpejtësi”, tha Llabani.
E pyetur se çfarë masash ka marrë policia, Llabani tha se marrja e kamerave të sigurisë është ajo që po bën policia aktualisht, por siç u shpreh ajo janë marrë dhe shumë dëshmi.
“Marrja e kamerave të sigurisë është ajo që po bën policia aktualisht, por janë marrë dhe shumë dëshmi. Por në momentin e atentatit autorët kanë qenë të mirë informuar sepse ka qenë i vetmi çast i favorshëm pasi lokali ka qenë bosh”, shtoi ajo.



