
Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me homologun e tij holandez, Mark Rutte, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Holanda i dha Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Dua të shpreh mirënjohjen e vërtetë për Holandën. Për kombinimin e qëndrimit të tyre të rreptë që ishte nervozues njëfarë kohe derisa e kuptuam çfarë ishte. Përmes një rograi të quajtur matra që ka bërë ndryshimin në çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Kuptuam që Holanda ishte serioze për kriticizmin e saj. Nga ana tjetër falë këtij raporti ne shohim më shumë nga Holanda në vendin tonë. Renditet mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri. Kemi Shell-in.”, u shpreh Rama
Ndërkohë kryeministri holandez, Rutte tha se Ballkani Perëndimor po punonë fort për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ai theksoi se Holanda e mbështet propozimin e bërë nga Franca për Maqedoninë e Veriut, por në momentin që BE do të arrijë një kompromis nuk do të lërë vetëm Maqedoninë e Veriut.
“Sigurisht ka qenë vetëm një kohë e shkurtër ku ishim bashkë në samitin e përbashkët në BE, i cili nuk ishte një takim i suksesshëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë fort, për tu bërë pjesë e BE dhe Holanda e mbështet fort Shqipërinë. Por problemi këtu është Maqedonia e Veriut, për të cilën presidenca franceze ka dhënë një zgjidhje. Ne mbështesim propozimin francez. Gjëja më e fundit që dimë është se qeveria po i hedh një shikim propozimit. BE në momentin që do të arrihet një kompromis nuk do ta lëmë vetëm Maqedoninë e Veriut. Ne do të mbështesim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po kështu kjo mbështetje do të jetë për qeverinë e Edi Ramës e cila ka bërë një punë të mirë”, tha Rutte.
Kujtojmë se Franca propozoi një zgjidhje për çështjen e krijuar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila po pengon dhe fillimin e bisedave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pak javë më parë presidenti francez, Emmanuel Macron ka propozuar një “komunitet politik evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.
Ndërkohë propozimi francez do të diskutohet gjatë kësaj jave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Por, ndërmjet pushtetit dhe opozitës vazhdojnë përplasjet rreth përmbajtjes së propozimit francez, i cili duhet t’u japë fund dallimeve që ka Shkupi me Sofjen zyrtare dhe të zhbllokohet procesi i integrimeve evropiane.



