Rrëfen një pjesë të luftës në Ukrainë në vërtetësinë e saj dhe është mbase një ndër filmat më të veçantë rreth kësaj lufte. Bëhet fjalë për dokumentarin “Real” të Oleh Sentsov, i cilu ka premierën e tij në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Karlovy Vary” këtë vit.
Filmi përbëhet nga 90 minuta të xhiruara aksidentalisht nga kamera- helmetë e regjisorit gjatë një beteje të luftës Ruso-Ukrainase.
“Real” i Oleh Senstov nuk është në të vërtetë një film apo dokumentar në kuptimin konvencional, por mund të përshkruhet më së miri, siç e shpreh vetë regjisori në një hyrje të filmuar, si “material”. Kjo për shkak se filmi është rezultat i një aksidenti.
Ai përbëhet nga 90 minuta filmime të papërpunuara, të pa montuara, të kapura nga një kamerë GoPro të vendosur në kapelën helmetë të regjisorit, ndërsa shërbente në ushtrinë ukrainase.
Senstov ndezi pa dashje kamerën pasi mjeti i tij luftarak i këmbësorisë u shkatërrua nga artileria ruse dhe pamjet dokumentojnë përpjekjet e tij pasuese për të thirrur për ndihmë në evakuimin e njësisë së tij edhe kur ata janë nën zjarr dhe municioni ka mbaruar.
Rezultati është një portret i menjëhershëm i luftës në vërtetësinë e vet.
Senstsov nuk ishte në dijeni se po filmonte gjatë betejës që ndodhi verën e kaluar, vetëm dhe i zbuloi muaj më vonë videot e marra.
Ai mendoi ta fshinte materialin, por më pas vendosi që ai të shërbente si një dokument i vlefshëm lufte, siç po ndodh në të vërtetë.
Pamjet e marra “rrëfejnë” luftën për 90 minuta, deri në pikën në të cilën mbaroi bateria e kamerës. Më pas, këto xhirime pësuan ndryshime fare të vogla pas produksionit, që përfshinin korrigjimin e zërit dhe ngjyrës e që tashmë shërbejnë si dokument vizual i luftës moderne të llogoreve.
Filmi përgjithësisht tregon Senstov - i cili komandonte një njësi dhe emri i koduar i të cilit ishte "Grunt", ndërkohë që njerëzit e tij hidhen poshtë në një llogore në një pozicion të njohur si "Real", sipas klubit të futbollit, Real Madrid.
(“Ushtria e Ukrainës duket se ka një prirje të veçantë për këtë sport, me pozicione të tjera të etiketuara me emrat e ekipeve të tilla, si: Chelsea, Barcelona dhe Marseille.)
Meqenëse kamera është e vendosur në kokën e Sentsov, ne kurrë nuk e shohim atë, por dëgjojmë zërin e tij, duke dhënë udhëzime.
Gjendja e tyre është e rrezikshme; siç thotë Senstov, atyre "po iu mbarojnë municionet dhe njerëzit" dhe disa burra janë të plagosur. Ata janë të rrethuar nga forcat ruse dhe vendndodhja e tyre granatohet periodikisht ndërsa Senstov përpiqet me dëshpërim të organizojë evakuimin e tyre.
Sentsov, i cili hyri në ushtrinë e Ukrainës menjëherë pas pushtimit rus është një regjisor me përvojë që ka realizuar deri tani tre filma artistikë.
Ai është gjithashtu aktivist dhe disident, i cili u akuzua nga Rusia për planifikim të sulmeve terroriste dhe u dënua me 20 vjet burg.
Një vit pasi mori çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit të Parlamentit Evropian, ai u lirua si pjesë e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.



