Pentagoni thotë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 trupa për t’u trajnuar në Rusi. “Ne besojmë se DPRK-ja ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për t’u trajnuar në Rusinë lindore”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh, duke iu referuar inicialeve të emrit zyrtar të Koresë së Veriut.
“Një pjesë e ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës dhe ne jemi përherë e më të shqetësuar se Rusia synon t’i përdorë ata në luftime ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën”, shtoi ajo.
Më herët, NATO konfirmoi se trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe se një pjesë e tyre është dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e Kievit ndërmorën një sulm të befasishëm në gusht dhe ku ende mbajnë nën kontroll një pjesë të territorit.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, tha se zhvillimet përbënin një kërcënim global për sigurinë.
“Ky bashkëpunim i paligjshëm ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është një kërcënim i rëndësishëm sigurie për komunitetin ndërkombëtar dhe mund të përbëjë një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare”, tha ai.
Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore do të grumbullojë më shumë presion mbi ushtrinë e lodhur dhe të stërngarkuar të Ukrainës.
Ai gjithashtu do të nxisë tensionet gjeopolitike në Gadishullin Korean dhe në rajonin më të gjerë Indo-Paqësor, duke përfshirë Japoninë dhe Australinë, thonë zyrtarët perëndimorë.



