Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova ka vendosur sot një rekord përsa i përket numrit të rasteve me koronavirus brenda 24 orëve. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë thotë se janë 129 raste të reja me COVID-19, ndërsa numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është vetëm 10.
Në total, ditën e fundit janë kryer 385 teste, ndërsa qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve është Prishtina, me 46 raste.
Në njoftimin e bërë nga IKSHP thuhet se javën e fundit janë shtuar shumë rastet e të prekurve në organizata si: Posta, KEK, Galeria e Arteve, institucionet bankare, institucionet shëndetësore, kompanitë tregtare dhe bizneset private.
Sakaq, numri total i të shëruarve në Kosovë ka shkuar në 963, ndërsa janë kryer gjithsej 18. 915 teste, 1. 615 prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv. Ndërkohë, numri i rasteve me humbje jete në Kosovë është 33.
Njësoj si në Shqipëri, edhe autoritetet shëndetësore të Kosovës bëjnë thirrje që shtimi i lëvizjes së qytetarëve, i detyruar për shkak të rrethanave, të shoqërohet me përdorimin e masave mbrojtëse, si maskat dhe dorezat.



