Një lokomotivë dhe dy vagonë janë reliket e fundit të trenit që për vite me radhë ka përshkuar linjën Tiranë -Durrës.
Vjetërsia e bën të detyrueshëm kontrollin teknik para nisjes. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi se në muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar treni nuk e ka respektuar grafikun për shkak të mungesës së naftës. Para pak vitesh linjat hekurudhore furnizoheshin nga rafineria e Ballshit, ndërsa aktualisht këtë shërbim e kryen kompania “Kastrati”.
Që prej janarit të vitit 2013 stacioni është zhvendosur në Kashar. Sot asnjë pasagjer nuk ka prerë biletë për lëvizur me tren. E megjithatë treni do të udhëtojë bosh drejt Durrësit me naftën e marrë nga kompania private.
Ndonëse udhëtimet me tren janë një kujtim i bukur i së kaluarës, linja Kashar -Durrës e vazhdon itinerarin e saj çdo dite. Ky tren i pajisur me vetëm dy vagonë e përshkon këtë rrugë për vetëm 45 minuta, bileta e të cilit kushton vetëm 70 lekë, megjithatë ai sot gjendet i boshatisur.
Të vetmit që ndodhen në tren janë makinisti dhe fatorinoja. Ajo pranon se treni është në gjendje të amortizuar dhe se zhvendosja e stacionit në Kashar e ka frenuar edhe më shumë lëvizjen. Sipas saj, shkak për mungesën e pasagjerëve janë edhe temperaturat e ulëta.
“Po ndoshta nga të ftohtit, po s’para ka tani lëvizje aty në Kashar, të ishte në Tiranë ka të tjera lëvizje kurse tani është fshat, kanë punë të tjera spara ka njerëz”.
“Gjendja e tij është qëkur është larguar nga Tirana, kjo është gjendja e trenit , se te ishte në Tiranë ka shumë pasagjerë”.
Pas mbërritjes në Durrës, treni udhëton drejt Elbasanit për t’u kthyer sërish në kryeqytet me shpresën se do të gjejë ndonjë udhëtar.



