Teksa protesta e zhvilluar në Ditën e Pavarësisë hyn në orët e mbrëmjes, bilanci i përplasjeve mes qytetarëve dhe forcave të rendit është rënduar ndjeshëm, duke shkuar në 35 persona të lënduar dhe 16 të shoqëruar deri në këto momente.
Në një raportim të drejtpërdrejtë për MCN Live nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, gazetarja Marina Sulollari bëri me dije se protestuesit janë shpërndarë në grupe të vogla në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, pasi nuk janë lejuar t'i afrohen godinës së Kryeministrisë.
Pak më herët, një grup protestuesish është zhvendosur pranë Burgut 313, ku ka hedhur lëndë piroteknike, ndërsa përplasje të tjera janë regjistruar sërish në Sheshin “Skënderbej”.
Jam te ‘Dëshmorët e Kombit’, pranë Kryeministrisë, ku protestues nuk ka, pasi nuk janë lejuar t'i afrohen, ndërsa ata janë shpërndarë kudo në rrugët e kryeqytetit, por të pakët në numër. Pak më parë ishin te Burgu 313, ku dhe aty kanë goditur me lëndë piroteknike, ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve janë te Sheshi ‘Skënderbej’, ku janë regjistruar dhe aty përplasje mes policisë dhe tyre. Ndërsa përballë Kryeministrisë aktualisht ndodhen vetëm autobotet e ujit dhe forca të shumta policie, sikurse është krijuar dhe një perimetër duke mos lejuar as kalimtarët dhe as mediat të raportojnë, ku aty rregullat kanë qenë shumë strikte për t'iu afruar Kryeministrisë. Deri më tani numri i të shoqëruarve ka shkuar në 16, ndërkohë që pritet që në orët në vijim të ketë shifra të tjera, pasi shoqërimet vijojnë. Sa i përket të lënduarve nga protesta, deri tani janë 35 të lënduar, mes tyre 13 protestues, 9 efektivë policie dhe 6 përfaqësues të medias.
