
Pas takimit me eurokomisionerin Johannes Hahn, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të anulohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Hahn kërkonte një zgjidhje për gjendjen e krijuar me taksën. Ia dhashë shpjegimet se zgjidhja ekziston, se ekziston mundësia e një marrëveshje për zgjidhjen për njohje, ku do të përfshihet edhe tregtia e lirë. Po ashtu, ne do të respektojmë vendimin e Qeverisë dhe ky vendim mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, u shpreh Kryeministri i Kosovës
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Haradinaj deklaroi se mund që të hyjë në agjendë e punimeve për votim.
“Ne kemi mbajtur shpresë dhe mbajmë shpresë që mund të ndodhë që të hyjmë në agjendë e këshillit të ministrave, megjithatë në BE ka skepticizëm”, tha ai.
Këtë deklaratë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e bëri pas takimit që zhvilloi me Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johaness Hahn.
Shefi i ekzekutivit të Kosovës deklaroi mes tjerash se nëse ka nevojë për barna dhe Ilaçe, qeveria që ai drejton nuk do të bllokojë në asnjë momente kalimin e tyre drejt Serbisë.
Ai u pyet nëse BE-ja ka kërkuar prerë që të hiqet taksa ndaj Serbisë.
Haradinaj tha se Kosova nuk i ka vënë taksë BE-së.
"Kemi kërkesë nga BE-ja për heqjen e taksës. Por, kjo është një masë ndaj një vendi që e ka rrezikuar subjektivitetit tonë. Nëse dikush mendon që e rrëzon këtë qeveri do të bëhet mirë… do të bëhet veç më keq”, tha kryeministri.
Johannes Hahn u prit edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin bisedoi për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Thaçi e ftoi komisionerin Hahn për një angazhim më të madh të BE-së në Kosovë dhe rajon.
Nga ana tjetër, komisioneri Hahn u shpreh përkrahës për aspiratat e Kosovës dhe të rajonit.
“Jam i interesuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet”, u shpreh komisioneri Hahn, duke folur për raportet e Kosovës me BE-në dhe për çështjet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi theksoi se e çmon rolin e komisionerit Hahn.
“E vlerësoj vizitën dhe angazhimin tuaj për zgjidhjen e problemeve”, u shpreh presidenti Thaçi.



