Gjatë një pritjeje të organizuar me gazetarët në Presidencë, kreu i shtetit, Ilir Meta, apeloi për respektimin e integritetit profesional të tyre. Ndërkohë që vijon debati që pasoi episodin e javës së kaluar, kur kryeministri Rama ofendoi disa reporterë, Meta tha se askush nuk duhet të intimidojë gazetarët si përçues të së vërtetës.
“Shpreh solidaritet me gazetarët për misionin e tyre. Dua të shpreh ndjeshmërinë më të madhe për integritetin tuaj professional dhe tu apeloj të gjithëve ta respektojnë atë. Të mos intimidojë askush këtë integritet profesional apo personal për shkak të profesionit dhe shërbimit tuaj të të vërtetës ndaj ngjarjeve dhe fakteve. Kur cenohet liria e medias humbet themeli i sistemit demokratik. Në këtë ditë do të apeloja para të gjitha institucioneve shtetërore që të veprojnë në mënyrë të menjëhershme dhe shembullore”, tha ai.



