Në 9 orë të ditës së martë, palët folën me një gjuhë të drunjtë, ku shumë pak u mor vesh se për çfarë ishte rënë dakord dhe jo.
Partia Demokratike duket se ka fituar kërkesën e saj kryesore; identifikimin biometrik të votuesve, mundësisht në të gjithë vendin, edhe pse, PS parimisht ka qenë kundër, por e pamundur sipas saj të shtrihej në të gjithë Shqipërinë referuar edhe ekspertëve të ODIHR që e shihnin të mundshëm zbatimin vetëm në 10% të territorit.
Zbatimi i teknologjisë në të gjithë vendin jo vetëm që ka vështirësi duke kërkuar shtrirjen në disa faza, por ka edhe një faturë financiare që kryesisht është marrë përsipër nga delegacioni i BE-së në Tiranë, gjatë negociatave.
Palët nuk dhanë një shifër të saktë dhe as mënyrën se si do të merrej kjo ndihmë. Madje mazhoranca ia ka ngarkuar si drejtim të procesit elektronik një personi që PD-ja mund t’a zgjedhë vetë. Nëse shtrirja e tekonologjisë nuk do të mund të arrihet në gjithë vendin, atëherë aty mund të zbatohet metoda tradicionale.
Në tryezë nuk është pranuar kërkesa e PD-së që ankesat zgjedhore të shqyrtoheshin nga Gjykata Kushtetuese, kërkesë kjo që kërkonte në fakt edhe një ndërhyrje në Kushtetutë.
Paraprakisht nga PD-ja mësohet se është rënë dakord nga palët që zgjedhjet të “drejtohen” nga ana administrative jo nga KQZ-ja, por nga një kryekomisioner që do të asistohet nga një këshill ankesash i përbërë nga pesë anëtarë, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita.
Palët kanë mbetur tek një çështje për të cilën Basha foli vetëm si numër, por nuk u fut në detaje që lidhet me përbërjen e KZAZ-ve dhe KQV-ve.
Opozita kërkon që komisionet të përbëhen nga tre komisionerë të depolitizuar, ku kandidaturat të vijnë edhe nga jashtë administratës.
Për pjesën tjetër, PD-ja propozon që të jenë katër vëzhgues, dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita, me kushtin që të kenë të drejtën e shënimit në procesverbal për vërejtjet që mund të kenë. Pra, të kenë një lloj roli edhe në vendimmarrje, gjë të cilën PS nuk e pranon.
Ajo që është mësuar deri më tani, është fakti se palët ngecin në detaje teknike, ndërsa për kërkesat politike si krijimi i një qeverie teknike apo emërimi i një kryepolici për zgjedhjet, Këshilli Politik nuk e ka marrë fare në konsideratë.



