Grupi militant Hamas thotë se ka pranuar propozimin për armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari për t’i dhënë fund luftës shtatë-mujore me Izraelin.
Kreu i zyrës politike të Hamasit, Ismail Haniyeh ka informuar kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman ni Jassim Al thani dhe kreun e inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamal se lëvizja palestineze është pro propozimit të dy vendeve arabe për një armëpushim me Izraelin.
Siç bëhet me dije nga Sky News Arabia, Hamasi ka dhënë ok-ej për propozimin e modifikuar nga Egjipti, jo versionit mbi të cilin kishte një konsensus të përgjithshëm nga ana e Izraelit.
Propozimi i armëpushimit për të cilin Hamasi ra dakord përfshin një armëpushim, rindërtim të Gazës, kthimin e të zhvendosurve dhe një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve, tha zyrtari i Hamasit Taher Al-Nono.
Por nga ana e tij, Izraeli thotë se Hamasi ka pranuar një version "të zbutur" të një marrëveshjeje armëpushimi të propozuar nga Egjipti, i cili është "i papranueshëm" për vendimmarrësit izraelitë.
Reuters raporton se një zyrtar izraelit thotë se njoftimi i Hamasit duket të jetë një "mashtrim" që synon të tregojë Izraelin si palën që nuk dëshiron të pranojë një marrëveshje.



